English

Stina E Verës-Mjekët: Kujdes Nga Ndikimi I Temperaturave Të Larta Në Shëndet

TIRANË, 8 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Me rritjen e temperaturave në vend, specialistët e shëndetit publik japin dhe këshillat për të gjithë popullatën për të treguar kujdes nga ndikimi i vlerave të larta të tyre në shëndet. Në kuadër të Muajit të Sensibilizimit për Mbrojtjen nga të Nxehtit, muaji Qershor, strukturat shëndetësore marrin njëherësh masa për këshillimin e qytetarëve, për t'u mbrojtur dhe parandaluar simptomat e mundshme. Sipas specialistëve të shëndetit publik, në kushtet e temperaturave të larta, krijohen komplikacione të ndryshme në organizëm si, gjendje të fikti, rritje të rrahjes së zemrës, djersitje dhe humbje të kriprave minerale, si dhe luhatje tensioni. Ndaj, mjekët e përgjithshëm dhe ata të familjes këshillojnë të gjithë qytetarët të konsumojnë sa më shumë lëngje, fruta dhe zarzavate, por kujdes i veçantë duhet treguar për fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzana e të sëmurët kronikë në kushtet e temperaturave të larta. "Gjatë kohës që lëvizni mbani ujë me vete dhe konsumoni sa më shumë ujë gjatë ditës, rreth 2-3 litra dhe jo pije alkoolike. Mbani rroba të çelta, të lehta, kapele për mbrojtje nga dielli. Ata që konsumojnë alkool të shmangin pijet alkoolike", rekomandojnë ata. Mjekët këshillojnë evitimin e lëvizjeve dhe aktiviteteve fizike intensive nga ora 11.00 deri në orën 16.00. Kujdes i veçantë duhet treguar me fëmijët, pasi reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj temperaturave të larta. "Sistemi imunitar apo mbrojtës i fëmijës, nuk është zhvilluar tërësisht. Temperaturat e larta apo vapa, kanë një ndikim shumë negativ në organizmin e fëmijës dhe kjo është e theksuar, sidomos tek moshat e vogla 1-4 vjeç", pohojnë mjekët pediatër. Ndërsa tek të moshuarit, moti i nxehtë shkakton probleme shëndetësore si pasojë e ndryshimit të sistemit të çrregullimit të temperaturës trupore. Të moshuarit shpesh nuk janë në gjëndje të kuptojnë domosdoshmërinë e mbrojtjes nga të nxehtit, ndaj mund të paraqesin probleme dhe kërkojnë një kujdes më të veçantë kur dihet se edhe forcat mbrojtëse të tyre janë të ulura. Ata mund të goditen nga nxehtësia, nga dielli apo të rëndohen sëmundjet kronike. Por, mjekët japin këshilla edhe për personat e moshës alternative, apo të rritur, që të tregojnë kujdes nga temperaturat e larta dhe ekspozimi në diell, pasi mund të shkaktojnë probleme të rëndësishme e ndonjëherë mjaft të mprehta shëndetësore, siç janë hipertermia malinj (rritja e shpejtë dhe shumë e lartë e temperaturës së trupit), goditja nga dielli, humbja e madhe e lëngjeve dhe kripërave të trupit me anë të djersës, si dhe djegiet e lëkurës akute dhe kronike. Njerëzit mund të ekspozohen ndaj këtyre elementëve klimaterikë si gjatë kohës së punës, ashtu edhe kur janë duke pushuar (psh. në plazh). Ndaj mjekët këshillojnë "qëndroni në hije në orët e pikut të diellit, ndërsa duhet të përdorni kapelet, syzet e errëta të diellit për mbrojtjen e kokës dhe syve". Për të gjithë frekuentuesit e plazhit, mjekët këshillojnë që ekspozimi në diell duhet bërë gradualisht dhe jo menjëherë. Përdorimi i kremrave mbrojtës për mbrojtjen nga rrezet UV-a dhe UV-b, sipas fototipit të lëkurës dhe intensitetit te rezeve ultraviolet, është i domosdoshëm në këto ditë. Ndërsa, kremrat mbrojtëse duhen aplikuar 15 -20 minuta para daljes në diell; pas larjes, pas fshirjes me peshqir, si dhe djersitjes. Nga ana tjetër, mjekët këshillojnë dhe për mbajtjen e ambjentit në shtëpi sa më të freskët, e po kështu kujdes duhet bërë edhe me përdorimin e kondicionerëve. Për të gjithë ata, që janë të detyruar të dalin në orët e pikut dhe udhëtojnë me makinë, specialistët e shëndetit publik thonë se "është e nevojshme që të mbajnë gjithmonë me vete ujë, ndërsa gjatë ndalesave të evitohet ngrënia e shpejtë apo pijet alkoolike, ato me shumë sheqer apo kafeinë". Ndërsa, disa nga masat që duhen të merren për parandalimin e infeksioneve dhe virozave janë konsumimi i ujit të sigurtë, larja e vazhdueshme e duarve, ruajta e ushqimeve në frigorifer apo në vende të freskëta, konsumim i freskët i ushqimeve sidomos atyre me përmbajtje bulmetrash, vezësh, mishi (qumështi, vezët, akulloret, majoneza, mishi i pulës, peshku i freskët, etj). /a.ke/
KOMENTE