English

Thaçi: Kosova Ekziston Dhe Është Shtet Funksional

PRISHTINË, 8 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Kosova ekziston dhe është shtet funksional, tha sonte Kryeministri Hashim Thaçi, në fjalimin e tij drejtuar qytetarëve të vendit, në përvjetorin e 11-të të hyrjes së forcave të KFOR-it. "Deri tani shteti i Kosovës është njohur nga 69 shtete anembanë botës", tha Kryeministri Thaçi, duke garantuar se "Kosova do të jetë model i tolerancës dhe shumë-etnicitetit për të gjithë Evropën". "Unë besoj se periudhës së pavarësisë së mbikëqyrur, siç parashihet në Planin Ahtisaari, po i vjen fundi dhe sfida jonë në të ardhmen do të jetë për të ecur përpara me aspiratat tona euroatlantike", tha Thaçi. Kryeministri Thaçi shprehu bindjen se gjatë vitit 2010 do të konsolidohen sukseset e arritura, duke bërë thirrje për të përmirësuar rritjen ekonomike dhe forcimin e ligjit. Duke folur për synimin e qeverisë së tij për një qeverisje transparente Thaçi tha se ne nuk e tolerojmë korrupsionin, duke shprehur besimin se institucionet e Kosovës do të jenë në vijën e parë në luftën kundër korrupsionit. "Për të ndërtuar sundimin e ligjit, ne po ecim përpara duke miratuar 4 ligje, që do ta thjeshtojnë dhe modernizojnë kornizën bazike për institucionet tona të sundimit të ligjit, duke përfshirë gjykatat, dhe duke siguruar mbikëqyrje efektive të prokurorëve dhe gjykatësve", tha Thaçi.. Ai bëri të ditur se shpejt pritet të miratohet Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale, të cilët janë plotësisht të rishikuar dhe të modernizuar. Thaçi tha se ne do të punojmë me EULEX-in dhe me partnerët të tjerë ndërkombëtarë në ndërtimin e një sistemi të drejtësisë me qasje të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, i cili inkurajon investimet, duke zbatuar kontratat dhe duke inkurajuar zgjidhjen e shpejt të mosmarrëveshjeve, duke i bërë të gjithë, madje edhe udhëheqësit tuaj, të përgjegjshëm ndaj standardeve të njëjta. Duke iu drejtuar qytetarëve të Kosovës Thaçi tha "ne jemi përballë një sprove të madhe në javët dhe muajt në vijim për shkak se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet të japë opinionin e shumëpritur për shpalljen e pavarësisë së Kosovës". "Çfarëdo që të jetë vendimi, ne duhet të vazhdojmë të ecim përpara dhe ne do ta kemi mbështetjen e miqve dhe partnerëve tanë", tha Thaçi. Duke folur për sfidën e re që vjen nga Beogradi për bisedime teknike të reja mes Kosovës dhe Serbisë Thaçi siguroi se "Qeveria ime gjithnjë është e gatshme për t'u angazhuar në një dialog konstruktiv, në mënyrë të barabartë, me cilindo shtet tjetër, por ne kurrë nuk do të ulemi për të negociuar pavarësinë tonë apo integritetin territorial të Kosovës". "Kosova është një dhe Kushtetuta e saj do të zbatohet në mënyrë të barabartë përgjatë gjithë territorit të këtij vendi", tha Thaçi./s.s./ \
KOMENTE