Londër, 8 Qershor – Prestigjozja londineze “The Economist” në një analizë të saj lidhur me zhvillimet e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e hyrjes së tyre së shpejti në BE shuan shpresat e këtyre vendeve për hyrjen e tyre para vitit 2020.
Sipas artikullit thuhet se përveç Kroacisë, vendet e ballkanit Perëndimor, ku përfshihen Maqedonia, Shqipëria, Serbia, nuk do të mund të anëtarësohen në Bashkimin Europian para vitit 2020.
Sipas të përjavshmes “The Economist”, pengesa më e madhe për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian, mbetet moszgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë.
Lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë, e përjavshmja thekson se shteti nuk ka bërë sa duhet për të çrrënjosur krimin, trafikun dhe korrupsionin si dhe krizën politike në vend.
“The Economist” kërkon shprehimisht nga Bashkimi Evropian që të mos shpejtojë zgjerimin e saj në Ballkanin Perendimor, pasi në këtë mënyrë do të rrezikohej paqja dhe stabiliteti në këtë rajon.
Duke aluduar mbi një vlerësim të Këshillit Europian për Politikën e Jashtme ndaj vendeve të rajonit të Ballkanit, “The Economist” shkruan se “premtimi për integrim në BE është një çështje politike, e cila po i mban peng vendet e Ballkanit Perendimor”.
mit/NOA