English

Topi ngushëllon familjen e poetit Gjetja: Përjetësisht mirënjohës mjeshtrit të fjalës

Tiranë, 8 qershor, NOA - Presidenti Bamir Topi i ka dërguar sot një mesazh familjes së poetit Ndoc Gjetja, ku shpreh ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të poetit.

“Me hidhërim të thellë mësova lajmin për ndarjen e parakohshme të njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm, të poetit të shquar Ndoc Gjetja”, shprehet kreu i shtetit në mesazhin e tij.

Duke vlerësuar lart figurën dhe mjeshtërinë poetike të Gjetjas, Topi shprehet se poeti do të mbet në kujtesën e lexuesve.

“Mjeshtri i fjalës poetike, i ndjenjave të epërme njerëzore, i dashurisë dhe dhimbjes do të mbetet përjetësisht i nderuar në panteonin e kulturës shqiptare, do të frymëzojë brezat e ardhshëm të poetëve shqiptarë e do t’i ushqejë me dashurinë për fjalën e vërtetë e të bukur shqipe”, thuhet në mesazhin e Presidentit.

Topi vlerëson dhe modelin njerëzor që poeti Gjetja ofroi me veprën dhe jetën e tij.

“Duke ndarë me ju dhimbjen për humbjen e madhe të njeriut, poetit e shkrimtarit erudit, këtij personaliteti me vlera të jashtëzakonshme humane dhe intelektuale, jam i bindur se të gjithë lexuesit shqiptarë dhe admiruesit e poezisë së tij do t’i mbeten përjetësisht mirënjohës Ndoc Gjetjes për shpirtin, talentin, thjeshtësinë, fuqinë e mendimit e modelin njerëzor që ofroi në përballimin e sfidave të jetës”.

Poeti Gjetja u nda nga jeta një ditë më parë, si pasojë e një sëmundje të rëndë.

m.xh/NOA

KOMENTE