English

Topi: Respektoj Çdo Vendim Të Kuvendit Mbi Kandidaturat Për Gjykatën E Lartë Dhe Atë Kushtetuese

TIRANË, 8 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi sot se "kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese kanë ardhur pas një përzgjedhje të kujdesshme, sipas kërkesave të ligjit dhe aftësive të tyre personale", duke shtuar se respekton çdo vendim të Kuvendit për këtë çështje. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Rumanisë, Traian Basescu, i cili po zhvillon një vizitë në Shqipëri, Kreu i Shtetit iu përgjigj interesimit të medias mbi votimin në Kuvend të kandidaturave të propozuara prej tij për vendet vakante në këto dy institucione gjyqësore. "Në emër të institucionit që drejtoj kam firmosur me korrektësi dekretet, por vendimet që merren nga institucionet e tjera, në këtë rast nga Kuvendi, nuk janë në kompetencat e mia", theksoi Topi. Presidenti Topi theksoi se "është përkrahës i ndarjes së qartë të kompetencave dhe të drejtave të pushteteve të ndryshme në Shqipëri dhe Kushtetuta i njeh Presidentit të drejtën të paraqesë kandidaturat në Kuvend". Përzgjedhja e kandidaturave, sipas tij, "u zhvillua përmes një procesi shumë transparent". "Në demokraci çdo institucion ka nevojë të përsoset, ndaj nuk duhet të frikësohemi nëse ka tentativa për ta bërë një proces më korrekt. I takon institucionit të Kuvendit të marrë të gjitha vendimet që janë në kompetencë të tij. Nuk do t'i lejoja vetes të bëja koment për një kompetencë që nuk është e imja", tha Kreu i Shtetit. Duke siguruar se do respektojë çdo vendim që vjen nga Kuvendi i Shqipërisë, ai garantoi se nuk ka lejuar asnjë lloj ndërhyrje apo lobing në procesin e vendimmarrjes. "Ne garantojmë një proces serioz, objektiv dhe të pa politizuar", tha Presidenti i Republikës./s.s./
KOMENTE