Vëzhgim/ Kaos Në Trafik, Tirana Zgjohet Çdo Ditë Me Rrugë Të Bllokuara
TIRANË, 8 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Trafiku i rënduar vijon të bllokojë rregullisht rrugët e kryeqytetit si pasojë e punimeve në sheshin "Skënderbej" dhe nisja e fazës së dytë nga Bashkia e Tiranës, e cila duke devijuar trafikun, ka ofruar dështim të plotë, që tregon se plani i saj për këtë devijim ka qenë i pastudiuar mirë.
Sërish sot shkak për bllokimin e trafikut janë bërë devijimet e diktuara nga kjo Bashki, si pasojë e punimeve të fazës së dytë të projektit për rikonstruksionin e sheshit "Skënderbej".
Sipas planit të Bashkisë, makinat nuk futen për në qendër nga rrugët kryesore si rruga e Durrësit, e Kavajës, apo edhe rruga që vjen nga Stacioni i Trenit, por vetëm nga rruga e Gjykatës së Lartë. Ky devijim ka bllokuar edhe akset e tjera rrugore nëpër Tiranë, që lidhen ose jo drejtpërdrejt me sheshin "Skënderbej", si Unaza e Tiranës, apo 21 Dhjetori.
Për pasojë, mijëra qytetarë e shohin përditë veten të bllokuar në trafik, pasi për minuta të tëra, nuk mund të lëvizin me makinë në të gjithë akset kryesore të kryeqytetit, që çdo ditë paralizohen nga trafiku i automjeteve dhe mjeteve të transportit urban.
Kaosi që nis që në orët e para të mëngjesit, vijon të rëndohet akoma më shumë me kalimin e orëve, ndërsa me mijëra qytetarë të mbërthyer në këtë trafik të tmerrshëm, nuk mund të mbërrijnë në kohë në vendet e punës apo destinacionet e tjera.
Ky kaos u ka kushtuar veç nervave të tendosura, vonesa në punë dhe takime, po dhe karburant më shumë shoferëve.
"Po rrezikoj të humbas punën për shkak të trafikut, se nuk mund të lëviz në Tiranë pa makinën që më duhet gjatë ditës", thotë i revoltuar për ATSH-në Besnik. D., një nga shoferët e shumtë që sot, ka mbetur i bllokuar në trafikun e Unazës.
Por dhe në raste emergjencash, qytetarët rrezikojnë deri dhe jetën për shkak të vonesave të shumta nga bllokimi i rrugëve.
Për më keq akoma, ende nuk dihet se si do të zgjidhet situata, sepse kjo gjendje nuk dihet ende sa do të vazhdojë dhe askush nuk jep një përgjigje.
Ndërsa Bashkia ende nuk bën të ditur se sa do të zgjasë ky devjim, punimet në sheshin "Skënderbej" janë shtrirë thuajse në çdo cep të tij, madje dhe në hapësirat që rrethojnë qendrën.
Dhe ndërsa kaosi i trafikut vazhdon, qytetarët e Tiranës janë më të alarmuar, pasi qëndra do të vijojë të mbetet e bllokuar edhe pas perfundimit të punimeve, sepse parashikohet të jetë vetëm për këmbësorë./n.m/