Vlore: Mot I Kthjellet, Kushte Normale Lundrimi
VLORË, 8 Qershor/ATSH-H.Koçi/.- Situata meteorologjike sot në gjirin detar të Vlorës, parashikohet të jetë e mirë. Moti do të jetë i kthjellët dhe me zhvillime të pakta resh.
Temperaturat do të shënojnë rritje të mëtejshme, ndërkohë që era do të ndryshojë drejtim, por kjo nuk do të ndikojë në kushtet e lundrimit. Prej tre ditësh, të paktën 20 peshkarexha kanë dalë për të peshkuar brenda dhe jashtë gjirit detar të Vlorës.
Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur për ATSH-në se, në pjesën e parë të ditës, era do të ketë drejtimin në kuadratin Jug-Jugperëndim me shpejtësi nga 2-4 m/sek, deri në 6-8 m/sek në afërsi të bregut të detit. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 27-29 gradë celsius dhe ato minimale në 17-19 gradë celsius. Valëzimi parashikohet të jetë 1-2 ballë brenda gjirit detar dhe 3-4 ballë në det të hapur.
Trageti "Red Star" i linjës detare Brindisi-Vlorë do të lundrojë sot në itinerarin e kthimit drejt portit italian në orët e mesditës. /a.ke/