English

Vodhi një tel 400 metra të Albtelekomit dhe e shiti për bakër, arrestohet grabitësi

Durrës, 8 Qershor, NOA – Vodhi një sasi kablli telefonik të Albtelekomit me gjatësi prej 400 metrash dhe më pas e shiti për bakër në një pikë grumbullimi në afërsi të Urës së Dajlanit.

Ky është akti që një 21-vjeçar, vetëm me dy klasë shkollë, ka kryer në bashkëpunim me dy persona të tjera dhe për të cilin është vënë menjëherë në prangat e policisë.

Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime policore të Durrësit, sipas të cilave i arrestuari mban emrin Redion Hamitja, ndërsa teli i bakrit i sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ka një peshë prej rreth 100 kilogramësh.

Ndërkaq, si rezultat i punës hetimore të kryer nga struktura kundër krimit ndaj pronës, u arrit të dokumentohet se të lartpërmendurit janë autorë të dyshuar edhe të tre vjedhjeve të tjera të ndodhura së fundi në qytetin e Durrësit.

Nga ana e policisë po punohet për identifikimin dhe kapjen e dy personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, ndërsa materialet për veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim” iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit.

n.e/NOA

KOMENTE