English

Zbatimi I Strategjisë Antikorrupsion, Nota Pozitiviteti Nga Ndërkombëtarët

TIRANE, 8 Qershor /ATSH-A.Gegvataj/.-Zbatimi i strategjisë për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe Qeverisjen Transparente ka vene në eficence një plan konkret veprimi, rishikim tërësor procedurash dhe raportim të saktë për punën e kryer në këtë drejtim. Kjo u evidentua gjatë mbledhjes së zhvilluar sot, nën drejtimin e Ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, me Grupin Ndërministror të Punës, i përbërë nga 13 zëvendësministra si dhe Grupi Ndërministror Teknik (GNT), përfaqësuar nga specialistët e fushës për çdo institucion përkatës. Ministri Pollo deklaroi se "fakti që këto rregulla janë ndërtuar në këtë mënyrë shpjegon edhe pse shumë agjenci ndërkombëtare, që monitorojnë qeverisjen e mirë si dhe korrupsionin, i japin nota gjithmonë e më të mira Shqipërisë dhe kanë lavdërime gjithmonë e më të qarta, e të shprehura, për qeverinë tonë". Ai shprehu besimin se detyrat e përcaktuara do të realizohen nëpërmjet një pune të vazhdueshme, permanente, por edhe me ide të qarta, siç është strategjia dhe planveprimi i përpiluar. Projekti për luftën antikorrupsion mbështetet edhe nga ndërkombëtarët me 2.1 milionë euro të dhëna nga Komisioni Europian dhe me asistencë teknike të BE-së, gjë që ka sjellë edhe përmirësim të metodologjisë. Strategjia për Parandalimin, Luftën kundër Korrupsionit dhe Qeverisjen Transparente dhe Plani i Veprimit për këtë strategji, të miratuara më 8 mars 2010, bëjnë të mundur që në çdo ministri, dikaster dhe agjenci shtetërore të verifikohet dhe reformohet çdo hap, veprimtari ose procedurë, që lë shteg për rryshfet apo të tjera veprime korruptive./s.s./
KOMENTE