Axhenda Ndërkombëtare 9 Qershor 2010
--------------------------------------------------------------------
NGJARJE KRYESORE
-------------------------------
NJU JORK (OKB) - Pesëmbëdhjetë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së votojnë për një projekt të ri sanksionesh kundër Iranit për të cilin dyshohet se zhvillon veprimtari të fshehta bërthamore.
UASHINGTON - Presidenti Barack Obama takohet me presidentin palestinez Mahmud Abas, një samit pas incidentit të rëndë që shkaktoi vdekjen e nëntë pasagjerëve të një flotiljeje humanitare propalestieneze, të vrarë nga komando izraelite.
ISLAMABAD - Shtatë persona janë vrarë gjatë natës së djeshme në periferi të Islamabadit nga persona të armatosur të cilët hapën zjarr mbi një autokolonë civile me furnizime për forcat e NATO-s që luftojnë kundër talebanëve në Afganistan, njoftoi policia pakistaneze.
TË TJERA
---------------
JERUSALEM - Izraeli po përpiqet të zbusë presionet e shkaktuara nga sulmi i përgjakshëm kundër një flotiljeje ndihme për Gazën me krijimin e një komisioni të brendshëm hetimor me mandat të kufizuar, por Shtetet e Bashkuara mendojnë se një pjesëmarrje ndërkombëtare do të ishte "themelore" në zbutjen e krizës.
NJU ORLINS - Hinka e vendosur nga kompania britanike BP bën të mundur mbledhjen e një sasie gjithmonë e më të madhe nafte, por miliona litra që vazhdojnë të rrjedhin nga Gjiri i Meksiskë që prej shpërthimit të një platforme vazhdojnë të ndotin brigjet amerikane.
HAGË - Holanda është vendi i parë i zonës euro që zhvillon zgjedhje legjislative që prej krizës financiare që vuri në vështirësi monedhën unike dhe rriti tensionet në bllokun evropian. Për herë të parë që prej rreth një shekulli, një liberal mund të bëhet kryeministër. Qendrat e votimit hapen në orën 05:30 dhe vlerësimet e para priten rreth orës 19:30.
BERLIN - Mbledhje e këshillit ekonomik të partisë kristiandemokrate CDU me fjalimin e ministrit të Financave Wolfgang Schäuble (12:00) dhe të kancelares Angela Merkel (17:30).
VJENË - Agjencia ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, IAEA: ndjekje e mbledhjes së këshillit të guvernatorëve të IAEA-s që vazhdon deri më 11 qershor.
MADRID - Mbledhje e shansit të fundit mes sindikatave, drejtuesve të ndërmarrjeve dhe qeverisë në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për një reformë të tregut të punës. Në rast të kundërt, ekzekutivi do të njoftojë më 16 qershor një projekt të njëanshëm kundër të cilit sindikatat kërcënojnë me organizimin e një greve të përgjithshme.
TOKIO - Ndjekje e situatës ndërkohë që kryeministri i ri japonez Naoto Kan mori zyrtarisht detyrën dje duke premtuar ta bëjë Japoninë "më të fuqishme", të shëndoshë financat publike dhe të përmirësojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
MOSKË - Fjalim i presidentit Dmitri Medvedev gjatë një konference ndërkombëtare kundër drogës.
/I.Pu.