English

Berisha: Arsimi, Përparësia Madhore E Qeverisë

- Kryeministri Berisha përuron përfundimin e punimeve për rindërtimin e shkollës 9 vjeçare, Nr.1 në Fushë-Krujë - TIRANË, 9 Qershor/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha përuroi sot përfundimin e punimeve për rindërtimin dhe shtesën e re të shkollës 9- vjeçare Nr.1 të Fushë Krujës, ku siguroi se "në programin e qeverisë arsimimi i fëmijëve do të mbetet përparësia më madhore". Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, Kryeministri Berisha theksoi vendosmërinë e qeverisë që "shkolla të këtij niveli të ketë në të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit, në mënyrë që fëmijët shqiptarë të marrin dijet e tyre në klasa moderne". Duke vlerësuar rolin dhe misionin e rëndësishëm të mësuesit, Kryeministri Berisha theksoi se "qeveria është e vendosur që të vendosë mësuesin në epiqendër të kësaj përpjekje". "Ne kemi bindjen më të thellë se duke mbështetur mësuesin shqiptar dhe duke i trajnuar ata, kjo është rruga më e sigurtë për rritjen gjithnjë e më tepër të cilësisë së arsimit", u shpreh Kryeministri. Kryeministri garantoi se të gjitha këto investime, do të vijnë duke u shtuar në të ardhmen, në mënyrë që të lehtësojnë dhe përmirësojnë sa më shumë jetesën e qytetarëve të Fushë Krujës dhe të mbarë Shqipërisë. Kreu i Qeverisë siguroi gjithashtu se "qeveria do procedojë me reformat në të gjitha fushat, në veçanti me reformat ekonomike". Duke iu referuar deklaratave politike të opozitës, Kryeministri theksoi se "antikultura e bllokut është një antikulturë fund e krye kundër integrimit të Shqipërisë në BE". "Çdo gjë ata e matin me interesin e tyre personal apo familjar. Kultura e bllokut, antikultura e bllokut është shprehje e dështimit total të lidershipit të Partisë Socialiste. Antikultura e bllokut është dëshmi e faktit se ata, në 20 vite kanë mbetur njëlloj si etërit e tyre", tha ai. Rindërtimi dhe shtesa e re e shkollës 9- vjeçare nr.1 të Fushë-Krujës, është një investim prej 71 milion lekësh të reja, që ka krijuar për nxënësit, një mjedis bashkëkohor që përfshin 31 klasa të reja, laboratorë informatike, kimie, fusha sportive, palestër dhe bibliotekë. Kjo shkolle e re është vazhdim i investimeve të vazhdueshme në Bashkinë e Fushë Krujës, e cila gjatë viteve të fundit është shndërruar në bashkinë e investimeve të mëdha. Gjatë qeverisjes demokratike investimet janë shtuar me 28 herë më shumë se gjatë qeverisjes së mëparshme, duke shënuar shifrën e 1.1 miliardë lekëve, kundrejt vetëm 40 milionë lekëve të investuara nga qeveria socialiste. Për sa i përket infrastrukturës janë shtruar 44 kilometra rrugë, duke ndërtuar të gjithë rrugët lidhëse të fshatrave dhe lagjeve të qytetit. Gjithashtu, po punohet në rrugën Fushë Krujë- Krujë- Sarisalltek, investim me vlerë 460 milionë lekë. Autostrada Milot - Fushë Krujë, vlera investuese e së cilës deri tani ka arritur në 7.2 miliardë lekë, po mbërrin në Thumanë dhe do të vazhdojë drejt Fushë Krujës e Tiranës. Po kështu në vjeshtë do të fillojë investimi i Unazës së Fushë Krujës, me vlerë 1.9 milionë USD nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Është ndërtuar ujësjellësi dhe rrjeti i kanalizimeve me vlerë 2 milionë USD dhe janë ndërtuar 6 qendra shëndetësore dhe 3 shkolla të reja e kopshte për fëmijë./m.m/s.s./
KOMENTE