English

Berisha: Më 1 korrik rriten pagat dhe pensionet

Fushë Krujë, 9 qershor, NOA – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë një takimin Fushë Krujë se më datën 1 korrik do të rriten pagat dhe pensionet.

“Jam sot këtu, për tu garantuar ju, se më 1 korrik në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër dhe më shumë se në çdo vend tjetër do të rriten rrogat dhe pensionet e 820 mijë shqiptarëve. Dhe e bëjmë këtë jo se kriza botërore nuk ka patur pasoja, kriza ka patur pasoja, por do të kursejmë çdo gjë për të rritur rrogat e shqiptarëve”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Ai shpjegoi se pavarësisht krizës ekonomike, vetëm nga reforma e transportit të funksionarëve, “ne ia kemi dalë të kursejmë mbi 40 milionë euro”.

Nisur nga këto të ardhura, Kryeministri theksoi se është e mundur që të rriten pagat dhe pensionet.

“Qe të gjitha do të shkojnë në rrogën e mësuesve, të mjekëve, të punonjësve të policisë, të ushtarakëve dhe mbarë punonjësve të rendit”, tha kreu i qeverisë.

Por Berisha ka premtuar se kjo nuk do të jetë rrija e fundit. Ai ka thënë se nëse reformat dhe rritja ekonomike vijon, qeveria do të mundësojë edhe rritje të tjera.

“Dhe po kështu, në rast se ne do të kursejmë në fusha të tjera do ta bëjmë në mënyrë që të rrisim rrogat, të rrisim pensionet, të lehtësojmë gjithnjë e më shumë jetesën e familjeve shqiptare”, u shpreh Berisha.

Deklarata e Kryeministrit u bë gjatë inaugurimit të punimeve për rindërtimin dhe shtesën e re të Shkollës 9- vjeçare Nr.1 të Fushë-Krujës.

Ky investim prej 71 milion lekësh të reja ka krijuar për nxënësit, një mjedis bashkëkohor, modern që përfshin 31 klasa të reja, laboratorë informatike, kimie, fusha sportive, palestër dhe bibliotekë.

m.xh/NOA

KOMENTE