English

Berisha: Në 1 Korrik Do Bëhet Rritja Më E Madhe E Rrogave Dhe Pensioneve Në Vend

- Në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri renditi disa nga faktorët që ndihmojnë qeverinë të realizojë këtë premtim - TIRANË, 9 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se "në datën 1 korrik 2010, do të bëhet rritja më e madhe e rrogave dhe pensioneve për 820 mijë punonjësit e administratës, institucioneve të tjera dhe pensionistët e vendit". Në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Berisha vuri në dukje se "kjo rritje vjen në kundra-rrymë me gjithë trendin e qëndrimeve të qeverive të vendeve të Europës dhe botës". "Këto qeveri kanë ulur ndjeshëm rrogat, kanë ngrirë pensionet dhe kanë hequr të gjithë stimujt e tjerë në masën 75 -100 për qind. E gjitha kjo është diktuar tërësisht nga kriza ekonomike", tha Kryeministri Berisha. Edhe pse ekonomia shqiptare është pjesë e ekonomisë globale, Kreu i Qeverisë shtoi se në ndryshim nga ekonomitë e vendeve të tjera, në Shqipëri janë rritur ndjeshëm në vlerë eksportet "Made in Albania". "Eksportet pothuajse janë trefishur në vlerë, pasi në 5 muajt e parë të vitit që shkoi janë eksportuar gjithsej mallra 'Made in Albania' 11 miliardë lekë nga të cilat 1.2 apo 1. 3 miliardë lekë nga energjia. Ndërsa, në 5 muajt e parë të këtij viti janë eksportuar mallra 'Made in Albania' 30 miliardë lekë, pra 3 herë më shumë dhe nga këto 7 miliardë lekë janë nga energjia. Në total kemi një rritje të eksporteve me të paktën 140 për qind", tha Kryeministri Berisha. Kjo rritje e madhe e eksporteve, sipas Kryeministrit Berisha, "është një investim shumë i madh në këtë vend, pasi sektori i industrisë së eksporteve është sektori kryesor i punësimit në industrinë e vendit". Ai theksoi se "rritja e eksporteve 'Made in Albania' përbën një bazë shumë solide dhe një dëshmi të shkëlqyer se ekonomia shqiptare, pavarësisht nga kriza, po funksionon me entuziazëm". Një faktor tjetër i situatës së favorshme ekonomike, sipas Kryeministrit Berisha, është "rritja e depozitave që janë rritur me 14 për qind. "Kjo është dëshmia më e sigurt dhe më e rëndësishme e shëndetit të sistemit bankar shqiptar", tha ai. Kryeministri veçoi edhe rritjen me 28 për qind të numrit të bizneseve të reja të regjistruara në 5 mujorin e parë të këtij viti. Ndërsa ç'regjistrimi i bizneseve, sipas Kryeministrit, është 6.3 për qind më i ulët se në 5 mujorin e parë të vitit të kaluar. "Janë një seri treguesish që përgënjeshtrojnë në mënyrën më bindëse të gjithë propagandën e zisë që bëhet sot rreth situatës së ekonomisë shqiptare. Janë këta tregues, të cilët na shtyjnë ne të vendosim në kundra-rrymë për rritjen e rrogave dhe pensioneve", tha Kryeministri. Ai shprehu bindjen se "investimi më i rëndësishëm i të gjitha investimeve është investimi te njerëzit". Kryeministri veçoi edhe reformën e Qeverisë për "Transportin e funksionarëve dhe zyrtarëve". "Kjo reformë, ndër më të suksesshmet në të gjitha aspektet, bëri të mundur që ne të shkurtojmë me rreth 30 për qind shpenzimet operative të administratës dhe këto para t'i kthejmë në rroga dhe pensione për qytetarët shqiptarë", tha Kryeministri Berisha. Kreu i Qeverisë theksoi gjithashtu se "qeveria do të shkurtojë me 20 për qind buxhetin e shpenzimeve në të gjitha institucionet shtetërore. "Shkurtimet e para më të mëdha do t'i bëhen qeverisë dhe agjencive të saj, por nga këto shkurtime nuk do të përjashtohet asnjë institucion i vetëm, si një masë për të mbajtur nën kontroll të plotë dhe total treguesit makro-ekonomikë të vendit", tha Kryeministri Berisha. Ai theksoi se "jashtëzakonisht pozitiv është trendi i inflacionit që ra muajin që shkoi me 1.2 për qind". "Kur ka ardhur në pushtet kjo qeveri ka gjetur një borxh prej 72 për qind të Prodhimit të Brendshëm, ndërsa sot ky vend ka një borxh me 59 për qind. Kemi gjetur një defiçit buxhetor me 7.9 për qind, ndërsa këtë vit po ecim drejt një defiçiti buxhetor nën 4 për qind", tha Kryeministri Berisha. Ai ftoi opozitën t'i marrë të gjithë treguesit ekonomik mbi borxhin e vendit apo deficitin buxhetor, pasi gjithçka është transparente". "Në mënyrën më të papërgjegjshme çdo ditë shpifet dhe trillohet me shifra të paqena, duke deklaruar se është rritur me 860 për qind huamarrja", tha Kryeministri Berisha. /s.s./
KOMENTE