Berisha: Pashk Përvathi, Një Nga Piktorët Më Të Shquar Shqiptarë
- Kreu i Qeverisë viziton ekspozitën e piktorit Pashk Përvathi e hapur në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë -
TIRANË, 9 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha duke vizituar sot pasdite ekspozitën me 60 piktura të piktorit Pashk Përvathi në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, e vlerësoi piktorin si një nga artistët më të shquar të pikturës shqiptare.
"Në këtë ekspozitë të shkëlqyer, Përvathi ka shkrirë në art me dashurinë më të madhe pamjet më tërheqëse nga Dragobia deri në Vithkuq të Korçës. Në ekspozitë, vizitori ka mundësi të njihet me peisazhet më të bukura të vendit. Të bën përshtypje "Në rrugën e Mios", ku Pashk Përvathi, i frymëzuar nga Vangjush Mio, i kushton me këtë ekspozitë dhjetra krijime Korçës, fushës, maleve dhe natyrës së saj të bukur", tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri vlerësoi se në pikturat e tij, Pashk Përvathi i rikthehet Himarës dhe me një dashuri të veçantë sjell si nuse të veshur në të bardha, Lezhën, të cilën e ka përjetësuar me një fuqi krijuese të veçantë.
Kreu i Qeverisë vlerësoi portretet e Pashk Përvathit si jashtëzakonisht të realizuara.
"Ndalesh me një admirim para portretit të At Zef Pllumit. Dua ta përgëzoj Pashkun sepse ka arritur të paraqesë në këtë portet, të gjithë forcën shpirtërore të këtij kollosi të madh të botës shqiptare, por edhe në portrete të tjera, sidomos ato të ciganeve, Zadrimes, Mirditës", tha Kryeministri Berisha.
Ai uroi piktorin Pashk Përvathi për ekspozitën me krijime të shkëlqyera që paraqiti sot para publikut.
"Dua të falënderoj njëkohësisht të gjithë ata që i kanë bërë të mundur këtë ekspozitë, Galerinë e Arteve dhe gjithë ata që kanë sponsorizuar", tha Berisha.
Ekspozita vetjake e piktorit Pashk Përvathi është e treta që çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve, në grupin e 30 ekspozitave vetjake që ai ka çelur brenda dhe jashtë Shqipërisë./n.m/