English

Çili: Nxitja E Kreditimit, Nje Nga Masat Me Te Mira Antikrize

-Administratori i Universitetit Evropian, Henri Çili, deklaron për ATSH-në- TIRANE, 9 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Një nga masat më të mira antikrizë, që duhet të ndërmarrin politikëbërsit në vendin tonë, është lehtësimi i kredimarrjes, deklaron në një iuntervistë për ATSH-në, administratori i Universitetit Evropian të Tiranës, (UET), Henri Çili. Sipas tij, marrja e kredive është masa më e mirë për të kaluar fazën e vështirësisë ku ndodhet biznesi vendas, në kushtet e pas krizës financiare ndërkombëtare. Duke u ndalur në situatën aktuale të kreditimit të vend, Çili konstaton se, "sistemi kreditimit është një treg pak i zhvilluar, sepse është i mbështetur mbi kolateralin e fortë, gjë që tregon një fazë shumë primitive të këtij sistemi". Në këtë konteks, ai gjykon se "kreditimi duhet të mbështetet mbi të dhënat e plan-bizneseve dhe të bëhet edhe për idetë, apo treguesit e plan-biznesit". Si ekspert i ekonomisë, Henri Çili nga ana tjetër, vlerëson se interesat e bankave në të gjithë tregun shqiptar bankar, ruajnë nivele të larta. Kjo nuk u krijon avantazhe klientëve dhe bankat "luajnë" në këtë proçes, ose me risk zero, ose në favor të tyre". Sipas tij, "kreditimi duke qënë një proces në interes të të dy palëve, si banka, edhe klienti duhet të gjejne hapësirat e lëshimit të dyanshëm. Prandaj, iniciativën e biznesit për të kërkuar uljen e normës bazë të interesit të kredisë në lekë nga ana Bankës Qendore e gjej shume të dobishme. Kjo duhet të mbështet edhe nga qeveria, e cila duhet të bejë politika për të dekurajuar kreditë e këqija, që janë rrënuese për biznesin". Çili bën edhe një apel. "Financat janë një nga mënyrat më të mira për të rimëkëmbur ekonominë, vecanërisht sektorët e ndërtimit, që ka hyrë në një fazë cilësore të zhvillimit bashkëkohor, agroindustrinë, arsimin dhe shëndetësinë, të cilët mund të shndërrohen në faktorë të rëndësishëm të rritjes ekonomike në vend". /n.m/
KOMENTE