English

Dossier - Zgjedhjet E Parakohshme Legjislative Në Holandë, Liberalët Më Të Favorizuarit

HAGË, 9 qershor /ATSH-AFP/ - Partia Liberale, VVD, përkrahëse e uljes së shpenzimeve të shtetit dhe që përfiton nga kriza ekonomike që shmangu imigracionin nga shqetësimet kreysore të zgjedhësve holandezë, mendohet të jetë fituese në zgjedhjet e parakohshme legjislative të ditës së sotme në Holandë. Sondazhet e fundit i japin VVD-së, (Partia Populore për Lirinë dhe Demokracinë) e Mark Rutte, 43 vjeç, rreth 40 nga 150 vendet e Dhomës së Ulët të parlamentit, gjatë zgjedhjeve të para në një vend të zonës euro që prej krizës greke që trondit Bashkimin Ekonomik dhe Monetar. "Që prej 10 vjetësh, flitej për imigracionin dhe integrimin dhe papritur me krizën, ajo që ka më tepër rëndësi, është ekonomia, kufizimet buxhetore, papunësia: liberalët papritur ndihen shumë mirë", analizon politologu Andre Krouwel, i universitetit të Amsterdamit. Partia ksenofobe dhe antiislame PVV e deputetit Geert Wilders, e cila përpara disa muajve, dilte e dyta në sondazhe, ra në vend të katërt. Megjithatë, ajo mund ta dyfishojë numrin e deputetëve të saj nga nëntë që ka aktualisht dhe shpreson të hyjë në një qeveri koalicioni të drejtuar nga Mark Rutte. Programi i liberalëve, i njohur me titullin "vendosje e rendit në biznes", parashikon veçanërisht një zvogëlim me 20 miliardë euro të shpenzimeve të shtetit dhe uljen në zero të deficitit publik deri në vitin 2015, zvogëlimin dy herë më pak të shpenzimeve të ministrave dhe rritjen e moshës së daljes në pension nga 65 në 67 vjeç. Liberalët janë tashmë dukshëm fitues në sondazhe duke lënë pas kristiandemokratët, CDA, e kryeministrit të deritanishëm Jan Peter Balkenende, të cilët mendohet të dalin në vend të tretë me 25 vende në parlament kundrejt 41 aktualisht, pas laburistëve. Balkenende, 54 vjeç, i cili kandidon për mandatin e pestë që prej vitit 2002, drejtonte që prej vitit 2006 një qeveri koalicioni me laburistët e PvdA-së dhe të krishterët e djathtë, CU. Kjo qeveri u rrëzua më 20 shkurt për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me mbajtjen e trupave holandeze në Afganistan. "Jam mësuar të eci kundër rrymës. Kundërshtari vetëm sa më bën më të fortë", tha prerë kryeministri. Ai nuk e ka çuar asnjë prej katër qeveriveë që ka drejtuar deri në fund të mandatit. "Kur dikush hedh katër makina në kanal, nuk kemi më dëshirë t'i japim një të pestë", thekson Andre Krouwel, për të shpjeguar rënien e popullaritetit të Balkenendes tek holandezët. "Tani kërkohet diçka e re, ndryshe", shton politologu Martin Nrosema, i universitetit Twente: "opinioni i përgjithshëm, është që tetë vjet janë tepër". CDA-ja, partnere e pashmangshme e koalicioneve qeveritare në Holandë që prej Luftës së Dytë Botërore, sipas sondazheve, merr disa vende më tepër se laburistët e PvdA-së me në krye Job Cohen, 62 vjeç. Ish-kryetari i bashkisë së Amsterdamit, mbrojtës i flaktë i integrimit, i zgjedhur në krye të listës në mars, për habinë e të gjithëve, është koka e turkut e partisë ksenofobe të Geert Wilders. Wilders, i cili është larguar nga partia liberale në vitin 2004 për të krijuar PVV-në, shprehet për ndalimin e imigracionit që vjen nga vende myslimane. Partia ksenofobe ka dalë fituese në zgjedhjet bashkiake të 3 marsit në Almere (190 000 banorë), njëri nga dy qytetet e vetme ku ajo kandidoi. "Ekonomia është me të vërtetë tema kryesore e kësaj fushate. Imigracioni doli tashmë në vend të tretë ose të katërt, pas mungesës së sigurisë", thekson Philip van Praag, pedagog i shkencave politike në universitetin e Amsterdamit. "Por, mbetet ende një pjesë e zgjedhësve që përbën 10 deri 15 për qind të elektoratit për të cilët ai përbën një çështje themelore". /I.Pu.
KOMENTE