Ekon - Ekspertët Të Ndarë Për Faktin Nëse Greqia Do Të Largohet Nga Zona Euro
UASHINGTON, 9 qershor /ATSH-MIA/ - Greqia do të detyrohet të heqë dorë nga euroja dhe do të kthehet në valutën e saj të vjetër, dhrahminë, vlerësojnë 41 për qind e investitorëve dhe analistët ekonomikë të përfshirë në një hulumtim të agjencisë "Bloomberg".
Në pyetjen nëse Greqia do të largohet nga eurozona, 24 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se kjo është "mëse e mundshme", ndërsa 17 për qind vlerësojnë se kjo është "shumë e mundshme".
Përkundër kësaj, 23 për qind vlerësojnë se një rezultat i tillë është "pak i mundshëm", ndërsa 34 për qind se është "i pamundur".
Sipas investitorëve apo analistëve të përfshirë me anketën e "Bloomberg''-ut, vendet më të rrezikuara nga kriza kreditore pas Greqisë janë Portugalia, Spanja dhe Irlanda.
Shumica e të anketuarve kanë shprehur rezerva dhe skepticizëm rreth efikasitetit të fondit të ri për ndihmën e eurozonës me vlerë 440 miliardë euro, formimi i së cilës është kontraktuar të hënën në takimin e ministrave të Financave të shteteve që shfrytëzojnë euron.
Vetëm 23 për qind e të anketuarve vlerësojnë se ky fond do ta arrijë qëllimin për të cilin është formuar dhe do të parandalojë pamundësinë pagesore të eurozonës, ndërsa 40 për qind vlerësojnë se "ekziston një mundësi e madhe që disa shtete të shpallin paaftësi pagesore, por se eurozona do të mbijetojë.
Në anketën e "Bloomberg''-ut, realizuar më 2-3 qershor, u përfshinë 1 001 investitorë dhe analistë ekonomikë nga e gjithë bota./
a.jor.