Ekonomi - Fmn-Ja Mbështetet Tek Azia Për Të Zbutur Pasojën E Politikave Të Rrepta Në Evropë
UASHINGTON, 9 qershor /ATSH-AFP/ - Nëndrejtori i përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtare Naoyuki Shinohara u shpreh sot në Singapor se fuqia e rritjes ekonomike në Azi pritet ta ndihmojë ekonominë botërore të zbusë pasojën e shkaktuar nga politikat e rrepta ekonomike në Evropë.
"Për herë të parë, kontributi i Azisë në rimëkëmbjen botërore e kalon atë të rajoneve të tjera", theksoi Shinohara, në një fjalim teksti i të cilit iu transmetua shtypit në Uashington.
Por, shtoi ai, "ngjarjet e fundit në Evropë dhe paqëndrueshmëria e tregjeve financiare që i shoqërojnë ato, na kujtojnë se rimëkëmbja është e dobët dhe ndodhet përpara rreziqeve të mëdha.
"Disa rrethana të pafavorshme në Evropë mund të pengojnë tregtinë botërore, duke shkaktuar pasoja për Azinë, duke parë rolin gjithmonë të rëndësishëm që ka kërkesa e jashtme", vazhdoi Shinohara.
"Megjithatë, edhe pse Azia nuk është e imunizuar nga ngjarjet në vende të tjera të botës, rajoni është në një pozicion shumë të konsoliduar për t'i shmangur këto rreziqe, nëse ato do të bëhen konkrete", u shpreh zëvendësi japonez i Dominique Strauss-Kahn.
"Çelësi i zgjidhjes për qeveritë do të jetë mbikëqyrja e vazhdueshme e situatës dhe gatishmëria për të vepruar shpejt në varësi të zhvillimit të saj. Meqë Azia është bërë një fuqi ekonomike, zgjedhja e politikave që do të zbatohen në këtë rajon do të ketë pasoja të rëndësishme në ekonominë botërore", u shpreh ai.
"Për fat të mirë, buxheti i konsoliduar në shumicën e ekonomive aziatike u jep atyre mundësinë të reagojnë me elasticitet. Në rastin e pasojave që vijnë nga Evopa, ka mjaft hapësirë për të bërë një shkëputje nga politikat e rimëkëmbjes ekonomike", deklaroi ai.
Në prill, FMN-ja parashikoi që Azia, një vend në zhvillim, do të ketë këtë vit rritjen dukshëm më të madhe në botë, me 8,7 për qind, ndërsa, zona euro do të jetë më e dobëta me 1,0 për qind.
/I.Pu.