English

Ekonomi - Opec Mban Të Pandryshuar Parashikimin Për Kërkesën Për Naftë Bruto Për Vitin 2010

VJENË, 9 qershor /ATSH-AFP/ - OPEC-u e mbajti të pandryshuar parashikimin për rritje të kërkesës për naftë bruto 0,95 milion fuçi nafte në ditë, sot në raportin mujor, dhe mbetet i kujdesshëm lidhur me evolucionin e tregut, pas krizës buxhetore në Evropë dhe me shenjat e ngadalësimit të rritjes ekonomike në Kinë. Kërkesa botërore për naftë pritet të rritet me 0,95 milionë fuçi naftë në ditë nga 85,4 milionë fuçi naftë në ditë në vitin 2010, shifra të qëndrueshme në krahasim me muajin e mëparshëm, mësohet nga raporti për muajin qershor i Organizatës së vendeve eksportuese të naftës. "Të dhëna të fundit tregojnë se rritja e kërkesës ishte pak më e lartë në gjysmën e parë të vitit nga sa ishte parashikuar. Megjithatë, ngadalësimi i pritshëm i ritmit të imëkëmbjes ekonomike mund të influencojë në rritjen e kërkesës për gjysmën e dytë të vitit", paralajmëroi OPEC-u, me seli në Vjenë. Karteli vërejti një "ndryshim opinioni lidhur me rimëkëmbjen botërore pas emergjencës së krizës buxhetore të shteteve në zonën euro dhe shenja të para të ngadalësimit të ritmit të rritjes ekonomike në Kinë". Kjo kthesë shpjegon rënien e fundit të çmimeve pas një periudhe më tepër të qëndrueshme që prej tetorit të vitit 2009, shpjegon Opec-u. /I.Pu.
KOMENTE