English

Ekonomi - Shba - Sondazh - 41 Për Qind E Finacierëve Mendojnë Se Greqia Do Ta Braktisë Euron

UASHINTON , 9 qershor /ATSH-AFP/ - Greqia do të jetë e detyruar të heqë dorë nga euroja, sipas 41 për qind të investitorëve dhe analistëve financiarë të pyetur gjatë një sondazhi, rezultatet e të cilit u publikuan nga shoqëria amerikane e informacioneve financiare Bloomberg. Pyetjes nëse vendi do të dalë nga zona euro, 24 për qind e financierëve iu përgjigjën se kjo rrugëzgjidhje është "shumë e mundshme" dhe 17 për qind "mjaft e mundshme", kundrejt 23 për qind të cilët e shohin si "pak të mundshme" dhe 34 për qind "të pamundur". Sipas tyre, vendi më i kërcënuar pas Greqisë është Portugalia ("shumë e mundshme" sipas 6 për qind prej tyre dhe "mjaft e mundshme" sipas 14 për qind"), përpara Spanjës ("shumë e mundshme" sipas 5 për qind të të pyeturve, "mjaft e mundshme" sipas 10 për qind e të pyeturve) dhe Irlandës ("shumë e mundshme" sipas 3 për qind të të pyeturve dhe "mjaft e mundshme" sipas 8 për qind të tyre). Pyetjes lidhur me fondin e ndihmës urgjente për zonën euro prej 440 miliardë euro, që u finalizua të hënën, shumica iu përgjigjën se ishin skeptikë lidhur me efikasitetin e tij. Vetëm 23 për qind të të pyeturve mendojnë se ky fond do t'i arrijë objektivat duke mos lejuar si mospagesën e borxhit nga një shtet evropian dhe daljen e një vendi nga zona euro. Përkundrazi, sipas 40 për qind të të pyeturve, "mund të ketë disa vende që nuk do ta paguajnë borxhin e tyre, por zona euro mbetet e paprekur". Vetëm 35 për qind e të pyeturve shkojnë më larg duke u shprehur se "kriza e borxhit nuk do të zgjidhet dhe disa vende do të heqin dorë nga euroja". Sondazhi u realizua më 2 dhe 3 qershor me 1 001 klientë të Bloomberg-ut në botë, investitorë dhe analistë dhe sipas metodës së rastësisë. /I.Pu.
KOMENTE