English

EULEX: Hetimet, do i shtrijmë në veri të Kosovës

Prishtinë, 9 Qershor, NOA – Misioni Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX) ka paralajmëruar se jo vetëm që nuk do t’i ndalojë, por edhe do t’i shtrijë më tej hetimet në Kosovë për një numër rastesh të korrupsionit, krimit të organizuar dhe vrasjeve.

Një fakt të tillë e ka pohuar zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes, sipas të cilës, hetimet do të jenë të përqendruara kryesisht në Veri në Kosovës, duke përfshirë këtu edhe strukturat paralele në këtë rajon, si dhe të gjitha organizatat e tjera e individët që dyshohet të jenë të përfshirë në krim të organizuar.

Ajo tha se hetimet për vrasje përfshijnë periudhën e viteve prej 2004 e deri në ditët e sotme dhe theksoi se EULEX-i do të hetojë të gjitha rastet pavarësisht nga përkatësia etnike.

“EULEX-i është vendosur në veriun e Kosovës që nga viti 2008 dhe që atëherë policët, prokurorët dhe gjykatësit tanë punojnë atje. Kjo nënkupton se hetime të ndryshme po zhvillohen dhe një shkallë e gjerë e rasteve të krimit janë nën hetime, përfshirë vrasje, përdhunime, vjedhje, lëndime trupore, krim të organizuar, korrupsion dhe kontrabandë”, tha Herodes.

Por sipas saj, hetimet në veri nga EULEX-it nga përfaqësuesit politikë të serbëve janë parë me dyshime.

n.e/NOA

KOMENTE