English

Fishë Teknike - Holandë - Programi I Partisë Liberale Vvd: Rend Në Biznes

HAGË, 9 qershor /ATSH-AFP/ - Programi i titulluar "Rend në biznes" i Partisë Liberale, VVD, që kryeson sondazhet për zgjedhjet e parakohshme legjislative të ditës së sotme në Holandë, parashikon një zvogëlim drastik të shpenzimeve publike dhe një ashpërsim të imigracionit. ZVOGËLIMI I SHPENZIMEVE PUBLIKE: Do të zvogëlohen që në vitin 2011 shpenzimet publike me pesë miliardë euro, shifër që do të rritet çdo vit për të arritur në 20 miliardë euro, ose rreth 10 për qind të buxhetit vjetor, duke filluar nga viti 2015. Deficiti publik do të çohet në zero brenda të njëjtës periudhë. Numri i punonjësve të sektorit shtetëror do të zvogëlohet, ai i deputetëve dhe senatorëve do të zvogëlohet me një të tretën dhe numri i ministrave do të përgjysmohet. Buxheti për bashkëpunimin dhe zhvillimin do të përgjysmohet gjithashtu. PENSIONI : Rritet mosha e daljes në pension nga 65 në 67 vjeç me dy muaj në vit nga viti 2011 deri në vitin 2023. Vetëm ata që do të kenë punuar 35 vjet ose më tepër do të dalin në pension në moshën 65 vjeç. SEKTORI IMOBILIAR: Do të mbetet në fuqi një ligj i polemizuar i fundit të shekullit XIX që u bën të mundur holandezëve të cilët marrin hua për blerjen e një prone të patundshme të kenë interesa më të ulëta për kreditë e marra. Rreth 3,5 milionë holandezë përfitojnë nga kjo dispozitë që, sipas Ministrisë së Financave, në vitin 2010 do t'i kushtojë shtetit më tepër se nëntë miliardë euro. PAPUNËSIA: Do të zvogëlohet kohëzgjatja e ndihmës për të papunët nga tre vjet në një vit. TAKSAT: Do të përgjysmohet taksa për trashëgiminë dhe me kohë do të hiqet, do të hiqet gjithashtu taksa për pensionet dhe do të zvogëlohet me 1 për qind taksa për të ardhurat. IMIGRACIONI: Imigrantët nuk do të kenë të drejtë të përfitojnë një ndihmë të garantuar me ligj nga shteti për lehtësimin e integrimit të tyre gjatë 10 vjetëve të para të qëndrimit në Holandë. Zgjatja e nëj leje qëndrimi dhe e drejta e marrjes së kësaj ndihme do të varet nga marrja ose jo e një provimi për gjuhën holandeze. SIGURIA: VVD-ja shprehet për vendosjen e 3 500 policëve të tjerë nëpër rrugë. /I.Pu.
KOMENTE