"Gjykata Administrative"/P-Ligji Përfshihet Në Kalendarin E Punës Së Kuvendit
TIRANË, 9 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Projektligji "Për gjykatat administrative", i mbartur nga legjislatura e kaluar, është përfshirë në kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit, për periudhën në vazhdim (14 qershor-1 korrik), si dhe në programin e punës për periudhën (14 qershor-29 korrik).
Burime zyrtare nga Kuvendi thanë për ATSH-në se Konferenca e Kryetarëve e grupeve parlamentare, e mbledhur sot paradite, vendosi të përfshijë në punimet parlamentare të ditëve në vazhdim këtë p/ligj të rëndësishëm, data e votimit të të cilit do të miratohet nesër në parlament.
P/ligji "Për gjykatat administrative", miratimi i të cilit kërkon 84 vota, është konsideruar një nga draftet më të rëndësishëm të reformës në drejtësi.
Komuniteti i biznesit në vend ka këmbëngulur vazhdimisht për miratimin sa më parë të tij, duke e konsideruar projektin një mundësi për shqyrtimin në kohë dhe me efektivitet të çështjeve administrative.
Mungesa e opozitës në Kuvend përgjatë tetë muajve ka krijuar vonesa në miratimin e këtij ligji. /a.ke/