Tiranë, 9 Qershor, NOA – Eshtë shtyrë përsëri seanca gjyqësore për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, ndërsa është caktuar që seanca e radhës të zhvillohet më 16 qershor.
Lajmi konfirmohet nga burimet pranë gjykatës për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, autoritetet italiane kanë kthyer letër-porosinë ku thuhet se dy dëshmitarë në lidhje me këtë çështje do të merren në pyetje në Itali.
Fjala është konkretisht për dëshmitarët Riza Shehu dhe Martin Miraj, të cilët është caktuar që të pyeten përkatësisht në seancat e datave 23 korrik dhe 8 korrik.
Ndërkaq, në tetor të këtij viti mbushen plot 15 vite nga zhdukja e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, akt ky për të cilin akuzohen 4 ish-SHIK-as.
Familjarët e tij, i kërkojnë ende drejtësisë shqiptare që të gjejë autorët e vërtetë të zhdukjes së tij, të lënë pa autor për gati një dekadë e gjysmë.
n.e/NOA