English

Godet dy veta me sopatë, arrestohet agresori

Lezhë, 9 Qershor, NOA – Ka marrë sopatën dhe iu është lëshuar dy personave për t’i vrarë, por për fat të mirë ata i kanë shpëtuar vdekjes, duke u plagosur njëri në kokë dhe tjetri në duar.

Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në fshatin Kallmet të Lezhës, ku sipas konfirmimit që burimet policore japin për agjencinë e Lajmeve NOA, autori i saj është Petrit Kola, 33 vjeç, lindur dhe banues në këtë fshat, i cili tashmë është vënë edhe në pranga prej tyre.

Arrestimi i tij u bë për arsye se në orët e para të mëngjesit të sotëm, ai ka tentuar të vrasë në grindje e sipër me sopatë 59-vjeçarin Ndue Preka si 24-vjeçarin Fatjon Preka, që të dy bashkëfshatarë të tij.

I pari siç raportohet për NOA-n, mësohet se ka pësuar dëmtime në kokë, ndërsa i dyti vetëm më duar, por që aktualisht, rezultojnë të jenë jashtë rrezikut për vdekjen.

Forcat policore bëjnë me dijeni se në cilësinë e provës materiale kanë sekuestruar sopatën e krimit, ndërsa i ndaluari po ndiqet për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë”, parashikuar nga neni 79/dh-22 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE