Holandë - Fillon Votimi Për Zgjedhjet E Parakohshme Legjislative
HAGË, 9 qershor /ATSH-AFP/ - Qendrat e votimit u hapën sot në orën 05:30 GMT për zgjedhjet e parakohshme legjislative në Holandë ku liberalët janë më të favorizuarit në sondazhe, njoftojnë burime pranë Këshillit elektoral.
"Qendrat e votimit u hapën, asnjë problem nuk është konstatuar deri tani", i deklaroi AFP-së Mat Meijs, zëdhënës i Këshillit Elektoral.
Rreth 12 milionë holandezë janë thirrur të zgjedhin 150 deputetë të Dhomës së Ulët. Rreth 10 000 qendra votimit do të qëndrojnë hapur deri në orën 19:00 GMT.
Dhoma të fshehta për zgjedhësit u vendosën në ndërtesa publike, shkolla ose qendra sportive, në aeroportin Schipoli të Amsterdamit, por edhe në kisha, restorante ose spitale, si dhe 44 stacione të mëdha hekurudhore të vendit.
"Kështu, njerëzit mund të votojnë rrugës për në punë ose në shkollë. Zgjedhjet zhvillohen në ditë të mërkurë, që nuk është ditë pushimi", i shpjegoi AFP-së Miranda Mens, një zëdhënëse e shoqërisë së hekurudhave holandeze.
Rezultatet e para priten rreth orës 19:30 GMT. Asnjë prej 18 partive në garë nuk mund të shpresojë të marrë vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, partia që do të dalë fituese do të fillojë bisedime për formimin e një koalicioni.
Liberalët me në krye Mark Rutte, 43 vjeç, janë më të favorizuarit në sondazhe. Ata mendohet të marrin 34 nga 21 që kanë aktualisht duke lënë pas laburistët e PvdA-së, të drejtuar nga ish-kryetari i Bashkisë së Amsterdam Job Cohen, 62 vjeç dhe që mendohet të marrin 30 vende nga 33 që kanë tani.
Kristiandemokratët e kryeministrit të deritanishëm Jan Peter Balkenende, 54 vjeç, vijnë në vend të tretë në sondazhe. Partia kryesore e parlamentit të deritanishëm ku ajo ka 41 deputetë, sipas sondazheve do të marrë 21 vende në këto zgjedhje.
PVV-ja, partia anti-islam e deputetit Geert Wilders, 46 vjeç, radhitet e katërta në sondazhe, sipas të cilave, megjithatë, ajo mund të dyfishojë numrin e deputetëve nga nëntë aktualisht.
/I.Pu.