English

Huamarrja E Brendshme Nuk Ka Cenuar Likuiditetin E Bankave Ne Dispozicion Te Sektorit Privat

TIRANE, 9 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/. - Drejtori i Borxhit në Ministrinë e Financave, Xhentil Demiri, deklaroi sot në një konferencë për shtyp se huamarrja e brendshme nuk ka cënuar aspak likuiditetin e bankave në dispozicion të sektorit privat, e cila konfirmohet edhe nga norma mesatare e mbulimit të ankandeve. "Huamarrja e vitit 2010 vijon të kryhet në përputhje me ligjin e buxhetit të shtetit, sipas të cilit, defiçiti vjetor prej 49.7 miliardë lekë do të financohej nëpërmjet 39.6 miliardë lekësh dhe financimit të huaj nga kreditë në masën 10/1 miliardë ekë. Deri tani huamarrja e brendshme ka arritur në 14.5 miliardë lekë, apo 36 % e totalit të huamarrjes për vitin", deklaroi Demiri. Demiri bëri të ditur gjithashtu se në rast të emetimit të eurobondit, për të cilin, siç u shpreh ai, ministria po pret momentin e përshtatshëm dhe stabilizimin e tregjeve të kapitalit, pjesa e të ardhurave që do të mbeten pas shlyerjes së kredisë sindikale të kontraktuar vitin e kaluar mund të shkojë për të maturuar një sasi të borxhit të brendshëm afatshkurtër. Kreu i Borxhit në MF paralajmëroi edhe mundësinë e emetimit të një bonoje afatshkurtër në tregun e brendshëm, të denominuar në euro. "Ne po monitorojmë me kujdes likuiditetin në tregun e brendshëm dhe në përputhje me strategjinë për të rritur fleksibilitetin e huamarrjes dhe diversifikuar burimet e financimit dhe sigurimin e një pjese të tij në euro, kjo pa rrezikuar plotësimin e nevojave të sektorit privat, do të shohim mundësinë e emetimit të një bonoje afatshkurtër në tregun e brendshëm, të denominuar në euro", deklaroi Demiri. Ndërkohë Demiri vlerësoi se likuiditeti në tregun e brendshëm të bonove dhe obligacioneve vazhdon të mbetet i konsiderueshëm, gjë që vërehet në normën mesatare të mbulimit të ankandeve. "Kjo normë ka qënë rreth 150 % për 5 muajt e fundit, që do të thotë se për çdo njësi monetare të titujve të shitur nga qeveria, oferta e tregut ka qënë mesatarisht 1.5 apo 50 % më e lartë sesa nevoja", tha ai. Duke u ndalur në shifra Demiri bëri të ditur se edhe normat e interesit të huamarrjes së brendhsme janë ulur. Kështu bonoja 1 vjeçare e qeverisë është ulur nga 9.24 % në fund të vitit 2009, në 8 % aktualisht, çka përbën një reduktim të kostos në buxhetin e shtetit prej 13 %. "Paralelisht me këtë është rritur edhe përqindja e titujve që individët dhe institucionet jo-banka mbajnë në portofolin e borxhit të brendshëm", theksoi Demiri./s.s./
KOMENTE