English

Japoni - Gazetat Lexohen Nga Nëntë Persona Në Dhjetë

TOKIO, 9 qershor /ATSH-ANSA/ - Japonezët janë ndër lexuesit më të rregullt të gazetave në botë, me më shumë se 9 persona në 10 që, në vitin 2009, kanë deklaruar se i lexojnë rregullisht gazetat. Sipas statistikave të publikuara në Tokio nga shoqata kombëtare e botuesve dhe shitësve të gazetave, që ndërmjet tetorit dhe nëntorit 2009 zhvilloi një sondazh me 3700 persona të moshave ndërmjet 15 dhe 69 vjeç, gazetat mbajnë vendin e dytë pas televizionit si mjeti bazë për t'u informuar, pavarësisht erës dixhitale dhe informacioneve falas në internet. Personat e intervistuar u pyetën për përdorimin e televizionit, gazetës, revistës, radios dhe internetit. Në sondazh rezulton se televizioni është mjeti më i përdorur, me 99% e të intervistuarve që e përdorin gati çdo ditë dhe me 89.8 për qind që e përdorin çdo ditë. Ndërsa gazetat renditen në vend të dytë duke u lexuar zakonisht nga 91.3 për qind e të intervistuarve (të paktën 5 herë në javë) dhe 62.7 për qind deklaruan se i lexojnë çdo ditë. Megjithatë edhe mediat e tjera (revista, interneti, radio) rezultojnë se kanë pasur sukses në tërheqjen e publikut. Nga të gjitha zgjedhjet, gazetat janë gjykuar si mjeti i komunikimit më i rëndësishëm sepse "të lejojnë më mirë nga mediat e tjera të kuptosh territorin dhe komunitetin ku jetohet (52.6%) dhe janë një burim informacioni i domosdoshëm (50.2%). Sipas të dhënave të fundit të shoqatës, në vitin 2009 janë shitur më shumë se 50 milionë kopje çdo ditë, me një mesatare rekord prej 0.95 abonime për familje. Shifra rekord janë edhe ato të dy gazetave kryesore, Yomiuri dhe Asahi, që shpërndajnë 10 dhe 8 milionë kopje respektivisht, vetëm në botimin e mëngjesit. /e.v/
KOMENTE