English

Këshilli I Ministrave Miraton Strategjinë Për Riintegrimin E Shtetasve Shqiptarë Të Kthyer, 2010-2015

TIRANË, 9 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Këshilli i Ministrave miratoi sot Strategjinë për riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer, (2010-2015) dhe planin e veprimit të saj, që përbën një nga kushtet e vendosura nga Komisioni Europian për liberalizimin e vizave. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, në fokusin e strategjisë dhe planit të veprimit janë shtetasit shqiptarë të kthyer në kuadër të marrëveshjes së ripranimit KE- Shqipëri dhe marrëveshjeve dypalëshe që vendi ynë zbaton, si dhe shtetasit shqiptarë që i nënshtrohen formave të tjera të kthimit të detyruar ose vullnetar. Strategjia e miratuar paraqet politikën e qeverisë për shtetasit shqiptarë Ajo synon minimizimin e kostove të migracionit, rritjen e përfitimit dhe nxitjen e kontributit të shtetasve shqiptarë të kthyer për zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo bën një analizë të situatës aktuale, të bazës ligjore dhe institucionale dhe paraqet objektivat dhe masat për të ardhmen, të fokusuara në riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer, në një perspektivë 5 vjeçare. Kjo strategji dhe plani i saj i veprimit kanë si objektiv kryesor, përmirësimin e kuadrit ligjor për mbështetjen e riintegrimit, si dhe sigurimin e strukturave efektive me burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare për institucionet publike, për të garantuar mbështetjen e riintegrimit të të kthyerve. Në hartimin e kësaj strategjie janë angazhuar edhe përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare që operojnë në këtë fushë dhe donatorë të huaj, të cilët janë ftuar nga qeveria të marrin pjesë në zbatimin efikas të saj. Në 27 maj, Komisioni Europian i rekomandoi Parlamentit Europian dhe Këshillit të Ministrave të Brendshëm liberalizimin e vizave për vendin tonë. Ky vendim erdhi pas vlerësimit pozitiv për plotësimin e kritereve të Udhërrëfyesit nga ana e Shqipërisë. Komisioni Europian i vendosi vendit tonë edhe 3 kritere të reja për të plotësuar, njëri prej të cilëve është hartimi i kësaj Strategjie. /s.s./
KOMENTE