Kompania Greke "Aktor", E Interesuar Për Të Investuar Në Infrastrukturën Shqiptare
TIRANË, 9 Qershor/ ATSH/- Kompania Greke "Aktor", një nga më të mëdhatë në sektorin e ndërtimit në shtetin fqinj( Greqi), ka shprehur sot interes për të shtrirë aktivitetin e saj në projektet infrastrukturore në Shqipëri.
Zyra e shtypit e kryeministrisë, njoftoi se, se Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Bordit të kompanisë AKTOR, Dimitris Koutras, i shoqëruar nga këshilltari për çështjet ekonomike në ambasadën greke në Tiranë, Christos Farmakis.
Koutras i prezantoi Kryeministrit Berisha vendimin e Bordit të kompanisë për të shtrirë aktivitetin në projekte infrastrukture në Shqipëri. Pasi prezantoi projektet e mëdha, ku ka punuar kjo kompani si në rrugë, ura të mëdha, qendër të Lojërave Olimpike, aeroportin e Greqisë, pjesë të rëndësishme të rrugës Egnatia etj, ai tha se se, qëllimi i kompanisë është pjesëmarrja në gara publike dhe prezantimi i projekteve private të investimeve në Shqipëri.
"Jam shumë i impresionuar, me ndryshimet e shpejta të ndodhura në Shqipëri në të gjitha fushat, por interesi ynë është të qëndrojmë në fushën e infrastrukturës", tha ai
Sipas tij, " ritmet e mëdha të rritjes në këtë fushë tërhoqën vëmendjen e kompanisë AKTOR dhe na bënë të merrnin vendimin për të investuar në Shqipëri".
Kryeministri Berisha pasi e falënderoi për vendimin e marrë dhe zgjedhjen e Shqipërisë si vend të shtrirjes së investimeve të tyre, prezantoi arritjet në fushën e infrastrukturës në Shqipëri, të objektivave e planeve për të ardhmen, duke theksuar se, "është e rëndësishme për biznesin dhe ekonominë shqiptare të ketë bashkëpunim dhe pjesëmarrje nga një kompani e standardeve të këtij lloji, si kompania AKTOR".
Kreu i Ekzekutivit prezantoi projektet e mundshme në fushën e infrastrukturës, për të cilat kompania AKTOR shprehu interes, si rruga Tiranë-Elbasan, segmente të rrugës së Arbrit, Boshti i Jugut, zgjerimin e autostradës Milot-Shkodër dhe unazën e madhe të Tiranës.
Ai tha se, fusha të tjera ku ata mund të shtrinin aktivitetin e tyre ndërtues në sektorin privat, ishin një sërë veprash të mëdha hidrike, fabrika çimentosh dhe vepra të tjera në ndërtim.
Gjatë këtij takimi kreu i qeverisë, Sali Berisha pohoi se, "qeveria do të vazhdojë mbështetjen për biznesin, si kusht i rëndësishëm për zhvillimin shpejtë të vendit dhe përballimin e situatës delikate të krizës botërore".
Kryeministri Berisha garantoi gjithashtu për transparencën e proçeseve të tenderimit për veprat e infrastrukturës publike dhe lehtësi operimi në fushën e investimeve private, në përputhje me legjislacionin shumë tërheqës dhe lehtësues të Shqipërisë në këtë drejtim. /s.d//n.m/