Mbetet Me 4 Anëtare Nga 5 Trupi Gjykues I Çështjes Ndaj Aldo Bares
TIRANË, 9 Qershor/ATSH/- Ka mbetur përkohësisht me katër anëtarë nga pesë që duhet të ketë, trupi gjykues i ngritur për procesin kundër Aldo Bares në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Caktimi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) i gjyqtares Adriana Beraj në vendin e lënë bosh nga gjyqtari Artan Broci, i transferuar këto ditë në Gjykatën e Apelit, nuk ka rezultuar efikas për formimin e trupit gjykues të procesit.
Sikurse u konfirmua sot në këtë Gjykatë, gjyqtarja Beraj nuk mund të marrë pjesë në këtë trup gjykues, pasi ka qenë e angazhuar më parë në një tjetër çështje që lidhet me procesin në ngarkim të Aldo Bares.
Në këto kushte, KLD-së i duhet që të zgjedhë një tjetër gjyqtar për formimin e këtij trupi gjykues të përbërë nga 5 të tillë. Seanca e radhës për Aldo Baren, e parashikuar për t'u zhvilluar sot, është pezulluar për të vazhduar pas dy javësh pas zgjedhjes së një tjetër gjyqtari në procesin kundër Aldo Bares.
Faktikisht, Gjykata e Krimeve të Rënda është ndeshur edhe më parë me këtë problem, sidomos në proceset e shumta të hapura ndaj "Bandës së Lushnjes" dhe anëtarëve të dyshuar të saj. Numri i lartë i këtyre proceseve ka angazhuar shumë gjyqtarë, duke krijuar shpesh herë vështirsi në formimin e trupave gjyqësore. Në këtë Gjykatë thuajse të gjithë gjyqtarët janë angazhuar në proceset ndaj "Bandës së Lushnjes". Aq sa, procesi për të akuzuarin si drejtues i kësaj bande, Aldo Bare, ka për anëtarë të trupit gjykues gjyqtarë nga Gjykata e Tiranës.
Aldo Bare, ose Alfred Shkurti, akuzohet si kreu i "Bandës së Lushnjes", mbi të cilën rëndojnë një sërë krimesh të rënda të ndodhura para disa vitesh në Shqipëri si, vrasje, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, etj. Ai u ekstradua në nëntor të vitit të kaluar nga Turqia, ku ishte arrestuar prej mëse tre vjetësh, me kërkesë të drejtësisë shqiptare. Dhjetra persona janë arrestuar në këto pesë vitet e fundit si anëtarë të dyshuar të kësaj bande, disa nga të cilët tashmë janë dënuar me burgim, ndërsa të tjerë janë nën procedimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. /a.m/s.s./