English

Mbledhja E Grupit Të Ps-Së/Namik Dokle, Nënkryetar I Kuvendit

TIRANË, 9 Qershor/ATSH/.- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste (PS) miratoi sot përbërjen e kryesisë së tij dhe përcaktoi emrat e kryetarëve dhe nënkryetarëve të komisioneve të përhershme të Kuvendit të Shqipërisë. Në përfundim të mbledhjes, të zhvilluar me dyer të mbyllura, u ra dakord t'i propozohet parlamentit emri i deputetit Namik Dokle për postin e nënkryetarit të Kuvendit, ndërsa kryesia e grupit parlamentar të PS-së do të përbëhet nga katër nënkryetarë; Erjon Braçe, Vasilika Hysi, Saimir Tahiri dhe Eduard Shalsi. Deputeti Taulant Balla u zgjodh sekretar i grupit të PS-së. Për drejtimin e komisioneve të parlamentit, grupi kuvendor i PS-së vendosi që: Ermelinda Meksi të jetë kryetare e komisionit për Integrimin Europian, Valentina Leskaj, kryetare e komisionit për Edukimin e Mjetet e Informimit Publik dhe Et'hem Ruka kryetar i komisionit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Ndërsa për postet e nënkryetarëve në pesë komisione PS do të përfaqësohet me Fatmir Xhafaj, nënkryetar i komisionit të Ligjeve, Mimi Kodheli, nënkryetare e komisionit të Ekonomisë, Arta Dade, nënkryetare e komisionit të Jashtëm, Ilir Gjoni, nënkryetar i komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Ilir Beqja, nënkryetar i komisionit për Veprimtarinë Prodhuese. Emrat e miratuar në mbledhjen e sotme të grupit socialist, sipas rregullores parlamentare do i përcillen për miratim seancës plenare të Kuvendit ditën e nesërme. Pas dhënies fund më 24 maj të bojkotit të zgjatur të Kuvendit nga opozita, grupi parlamentar i PS-së filloi aktivitetin normal të pjesëmarrjes së tij në institucionin më të rëndësishëm legjislativ në vend, pjesë e së cilës ishte dhe caktimi i deputetëve socialistë, që do të kryesonin komisionet që drejtohen prej saj. Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga tetë komisione të përhershme, ku në tre prej tyre drejtimin e ka opozita. /a.s/s.s./
KOMENTE