Luksemburg, 9 Qershor, NOA - Zyra evropiane e statistikave Eurostat, do të ketë në të ardhmen më të shumë të drejta për të verifikuar buxhetet që paraqesin vendet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Ministrat e Financave të BE-së vendosën të martën në Luksemburg që t'i ndryshojnë rregullat e deritanishme të BE-së.
Paketa gjermane e kursimeve është një nga masat që po ndërmerren brenda BE-së, por meqënëse Gjermania është një ndër vendet më të fuqishme të tij, komisionieri evropian për çështjet financiare, Olli Rehn, u shpreh se kjo paketë është simbol i rëndësishëm që duhet të shërbejë si model:
"Të gjitha vendet e BE-së duhet t'i kenë konsoliduar deri në vitin 2011 buxhetet e tyre. Masat gjermane të kursimit janë një sinjal i qartë për strategjinë e daljes nga borxhet, ashtu si kemi vendosur së bashku".
Eurostat akses në të gjitha datat
Por në të ardhmen nuk do të jetë më e mundur që vendet anëtare të BE-së të jetojnë vite me radhë mbi normat e tyre. Së pari do të evitohet që një shtet anëtar, ashtu si Greqia, të paraqesë të dhëna të manipuluara në Bruksel. Zyra evropiane e statistikave Eurostat do të ketë më shumë të drejta aksesi, theksoi ministrja spanjolle e financave Elena Salgado në Luxemburg: "Eurostat do t'i vizitojë shtetet përkatëse dhe do të ketë akses në të gjitha të dhënat dhe informacionet që do t'u duhen bashkëpunëtorëve të saj për të verifikuar kualitetin e të dhënave statistike".
Forcimi i Paktit të Stabilitetit
Por projekti më i rëndësishëm është forcimi i Paktit të Stabilitetit. Ky pakt, që për shembull kufizon defiçitin e një buxheti shtetëror vjetor në 3 përqind, dëshmoi që përpara krizës se është një "tigër pa dhëmbë". Hermann van Rompuy, presidenti i Këshillit Evropian, tregoi se cilat do të jenë dy ndryshimet thelbësore brenda këtij pakti: "Do të prezantojmë çdo pranverë të gjitha hartimet e buxheteve kombëtare të Komisionit si edhe të vendeve antare në mënyrë transparente për të gjithë. Përveç kësaj do ta përmirësojmë Paktin e Stabilitetit, duke krijuar mundësi të menjëhershme sanksionesh. Sanksionet mund të vihen pa u arritur akoma kufiri maksimal i defiçitit prej 3 përqind. Për shembull kur shtete të caktuara nuk reagojnë me kohë ndaj paralajmërimeve apo kur niveli i borxheve rritet më shpejt sa duhet".
Përveç kësaj borxhet e përgjithshme do të observohen më shumë se deri tani, sepse aktualisht u vihet më shumë rëndësi defiçiteve vjetore. Për të gjitha këto hapa duhet më shumë kontroll nga ana e BE-së. Por shtetet anëtare të BE-së nuk duan ende të flasin për një qeveri të re ekonomike evropiane. Ato druajnë se kështu do të humbasin sovranitetin e tyre.
DVelle