Mjekët- Mënyrat Si Mund Të Lihet Duhani..
TIRANË, 9 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - "Që të lësh duhanin, së pari duhet të kesh vullnet dhe vendosmërinë për t'i shkurar deri në fund", thotë Spiro, 61 vjeç, i cili prej 10 vitesh nuk pi më duhan.
Para se të linte duhanin, ai na tregon se pinte pothuajse 2 paketa në ditë. Në atë kohë, edhe pse shokët, familja, e këshillonin ta linte duhanin, 61 vjeçari na tregon se vazhdonte ta konsumonte, ndonjëherë akoma edhe më shumë. "Një ditë, kur vendosa vetë se do ta lija duhanin, nuk piva më cigare. Madje, edhe pse në shumë raste kur jam tunduar që ta rinis, deri tani nuk kam ndezur asnjë cigare", thotë ai.
"Fillimisht, personi duhet të vendosë vetë këtë, ndërsa hapi i parë mjekësor i rëndësishëm për lënien e duhanit është identifikimi dhe vlerësimi i përdorimit të këtij produkti", thotë mjeku Bujar Elezi, drejtor i Qendrës Shëndetësore nr. 1 në Tiranë. "Pasi vlerësojmë dëshirën e qytetarit për ta lënë duhanin, atëherë mund të sigurojmë ndërhyrjen e duhur, duke asistuar në lënien e duhanin tek pacienti, apo dhe duke siguruar ndërhyrje për motivimin pse e pi", sqaron Elezi.
Sipas tij, me pacientët që duhet ta lënë duhanin përdoren pyetje për të vlerësuar gjendjen, vlerësime e nxitje për të lënë duhanin, si dhe pjesëmarrje dhe organizime të takimeve të ndryshme, apo trajnimeve terapeutike.
Por, sipas Dr. Elezit, lënia e duhanit është më e vështirë kur ka familjarë që konsumojnë duhan, ndaj mjekët shpesh herë kërkojnë dhe ndihmën e familjarëve apo dhe shoqërisë së pacientit duhanpirës.
Krahas kësaj, gjithmonë në këshillimin e mjekëve, pacientët mund të marrin dhe produktet farmaceutike. "Ne njohim mirë gjendjen shëndetësore të pacientëve, ndaj dhe në rrethana të veçanta nuk i rekomandojmë këto produkte", sqaron mjeku Elezi. Produktet farmaceutike, sipas tij, janë ngjitës të nikotinës, çamçakëza, spraj hundor, pilula bupropioni, pompa thithje, të cilët janë zëvendësues të nikotinës dhe bëjnë lënien e duhanpirjes më të lehtë.
Këto produkte mund të gjenden në farmaci, por nga një vëzhgim i ATSH-së u vu re se jo të gjitha farmacitë në Tiranë i ofronin ato. "Nuk i mbajmë, sepse nuk tërhiqen shumë. Janë produkte ndihmëse, pasi lënia e duhanit do në radhë të parë vullnet", na thotë një farmaciste.
- "Nuk e lë duhanin se shëndoshem" -
E para gjë që thonë, teksa i pyet, është se "nuk e lënë duhanin sepse kanë frikë se shëndoshen". "Frika se mos shtoja në peshë më pengoi me vite që të mos lija duhanin. Më pas, një nga koleget e mia në punë e la duhanin dhe nuk shtoi në peshë. Ajo më tregoi mënyrat sesi dhe sot nuk pi më duhan", thotë Ilda, një 30 vjeçare.
"Shumë njerëz shqetësohen se do të shtojnë në peshë nëse do të lënë duhanin dhe sigurisht që në disa raste ndodh, por ndodh edhe e kundërta (që shëndoshen, kur ende pijnë duhan)", thotë mjeku Elezi. Por, kjo, sipas tij, varet nga metabolizmi i çdo njeriu, ndërsa përfitimet shëndetësore janë shumë më të mëdha, sesa me ato që lidhen me shtimin e pak kilogramëve.
Në qoftë se personat arrijnë qëllimin të lënë duhanin, pa dyshim që do t'i humbasin kilogramët, pohojnë mjekët, të cilët shpjegojnë shtimin në peshë me ngënien pak më shumë në momentin e lënies së duhanit.
Studimet tregojnë se 1 në 5 njerëz që lënë duhanin nuk shtojnë në peshë. Mesatarisht, personat që shtojnë në peshë kur lënë duhanin, shtojnë 2-5 kg, në disa raste edhe më shumë, por, sipas mjekëve, humbja e këtyre kilogramëve është më e lehtë se të lësh duhanin.
- "Kam pirë duhan me vite.Pse duhet ta lë tani ?" -
"Kam pirë duhan me vite dhe nuk kam asnjë shqetësim shëndetësor. Pse duhet ta lë?", thotë Ervini, 44 vjeç nga Tirana. "E po kështu, im atë e im gjysh. E kanë pirë duhanin dhe nuk kanë patur probleme", shton ai.
Shumë duhapirës ndjehen të shëndetshëm dhe kjo është kategoria më e vështirë e pacienteve. Mjeku duhet të motivojë duhanpirësit që nuk duan të lënë duhanin, pasi kjo mund të jetë për shkak të keqinformimeve, shqetësimeve që mund të vijnë nga lënia, apo demoralizimeve nga ekperiencat e mëparshme të pasukseshme në lënien e duhanit, thotë mjeku Elezi.
Duke pasur si qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës, mjekët pyesin pacientët e tyre lidhur me përdorimin e duhanit, këshillimin dhe vlerësimin e gatishëmërisë për ta lënë. Suksesi i punës së mjekut me këtë grup është pikërisht sigurimi i ndërhyrjeve motivuese.
Ndërkohë, njohja e përfitimeve shëndetësore që vijnë nga lënia e duhanit ndihmojnë në zgjedhjen për ta lënë apo jo atë. Studimet e ndryshme tregojnë se pas lënies së duhanit, mushkëritë fillojnë të punojnë më mirë, shkallët ngjiten më me lëhtësi, sensi i të shijuarit dhe nuhaturit përmirësohen ndjeshëm etj.
Sipas specialistes së Autoritetit Rajonal Shëndetësor të Tiranës, Mariglena Kosta, llogaritja e kostove dhe pasojave nga gjithsecili e të pirit duhan mund të ndihmojë për të vendosur për të lënë apo jo duhanin.
Faktet tregojnë se vitin e kaluar tri në pesë femra (60 përqind) dhe dy të tretat e meshkujve (67 përqind) duhanpirës ishin përpjekur ta linin duhanin. Për femrat, ato që jetojnë në zonat urbane dhe në Tiranën urbane, femrat me arsim universitar ose më të lartë dhe ato nga kuintili më i lartë i pasurisë, kishin më pak gjasa të përpiqeshin ta linin duhanin.
Nga ana tjetër, meshkujt që jetojnë në zonat urbane, ata që jetojnë në Tiranën urbane dhe rajonin malor, si dhe ata me arsim universitar, ose më të lartë, kishin më shumë gjasa të përpiqeshin ta linin duhanin se sa meshkujt e tjerë. /a.ke/