English

Pejë, arrestohet një zyrtar, mashtroi duke përfituar mbi 230 mijë Euro

Pejë, 9 Qershor, NOA – Një tjetër zyrtar i institucioneve lokale të Kosovës ka rënë në prangat e policisë si i dyshuar për korrupsion dhe mashtrim.

55 vjeçari me iniciale Alush H. zyrtar i KRK-së (Kreditimit Rural të Kosovës) në degën e komunës Klinë, pas tre muaj hetimesh nga drejtoria e hetimit të krimit ekonomik të Kosovës, është arrestuar pasditen e të martës, në Pejë, pasi në një kohë të vazhdueshme gjatë vitit 2008 dhe 2009 ka shpërdoruar postin e tij dhe ka mashtruar duke u shkaktuar dëm ekonomik dhjetëra qytetarëve.

Alush H. Dyshohet sipas burimeve të policisë së Kosovës, se në mënyrë të paligjshme ka dëmtuar institucionin mikro-financiar të KRK-së, dhe ka përvetësuar vlerën prej 143.000 €, duke përgatitur dosje të falsifikuara dhe duke i mashtruar klientët e këtij institucioni.

Sikundër mësohet është vërtetuar edhe zyrtarisht se i njëjti zyrtar, tashmë i arrestuar, ka mashtruar rreth 32 persona nga qyteza e Klinës dhe me paratë e përvetësuara ka blerë prona të patundshme në Klinë dhe dy troje në fshatrat e Rugovë, me vlerë rreth 85.000 €.

Të gjitha operacionet antikorrupsion dhe kundër krimit në institucionet e Kosovës, tashmë janë përshkallëzuar edhe përtej institucioneve qendrore, pikërisht në ato lokale, menjëherë pas thirrjes së EULEX për gatishmëri dhe hetim të korrupsionit edhe nëpër komunat e Kosovës.

mit/NOA
KOMENTE