English

Përdhunohet 7-vjeçari, pranga agresorit dhe mjekut që fshehu aktin seksual

Elbasan, 9 Qershor, NOA – Nuk ka rënë viktimë vetëm e personit që e përdhunoi, por edhe e mjekut që pasi e vizitoi, nuk raportoi në polici për gjendjen e vërtetë të tij.

Fjala është për një djalë vetëm 7-vjeç, ndaj të cilit një 22-vjeçar ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë e sikur të mos mjaftonte kjo, mjeku roje tek i cili u vizitua, pasi vuri re shenjat e dhunës tek trupi i tij nuk ka njoftuar organet kompetente për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.

Burimet policore të Elbasanit, bëjnë me dije për agjencinë e Lajmeve NOA se i mituri mban inicialet R.K. lindur dhe banues në Peqin, ndërsa agresori është 22-vjeçari Mandi Doda, lindur dhe banues në fshatin Shushicë të Elbasanit.

Ky i fundit është arrestuar menjëherë nga policia për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.

Ndërkaq, mësohet se mjeku i cili nuk e denoncoi rastin në fjalë mban emrin Alban Hoxha, lindur në Pogradec dhe banues në Elbasan, me punë në spitalin kirurgjik të Elbasanit, i cili pasi ka bërë ekzaminimin dhe mjekimin e të miturit të lartpërmendur, edhe pse ka konstatuar se tek pacienti kishte shenja të marrëdhënieve seksuale, nuk ka njoftuar organet kompetente për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.

Në lidhje me këtë ngjarje është bërë dokumentimi i plotë i saj dhe rëndimi i dy të ndaluarve të lartpërmendur për veprat penale të “Marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Moskallëzimit të krimit”, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 100 dhe 300 të Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE