Piktori I Natyrës, Pashk Përvathi Ne Ekspozitën E Re, "Rikthim"
-Ekspozita "Rikthim", me 60 punime u çel sot në Galerinë Kombëtare të Arteve-
TIRANË, 9 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Piktori lezhian Pashk Përvathi, i cilësuar "piktor i peizazhit", sjell në ekspozitën e fundit personale "Rithkim", 60 peizazhe së shumti nga qytetet dhe fshatrat e Korçës, Lezhës, Beratit, Shkodrës, etj.
Ekspozita "Rikthim" u çel sot në mbrëmje në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve, ku ishin Kryeministri Sali Berisha, ministri i Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, politikanë, artistë, nga trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, etj.
"E kam quajtur "Rikthim" sepse karriera ime artistike ka filluar si piktorë i natyrës, por erdhi një kohë kur unë kam zhvilluar një kërkim në studio, duke realizuar peizazhe të kompozuara mbi bazën e motiveve të hershme", u shpreh në një intervistë për ATSH-në, piktori Pashk Përvathi.
Duke veçuar qytetin e Korçës, të cilit i ka kushtuar një pjesë të madhe të peizazheve në këtë ekspozitë, ai tregon se "në vitin 2007 me një koloni artistike në Korçë i ftuar nga Bashkia e qytetit, u gjenda duke pikturuar direkt në natyrë peizazhin e Drenovës. Emocioni ishte i papërshkruar dhe më nxiti edhe njëherë rikthimin tek natyra, aty ku e kisha filluar karrierën time, ndaj dhe ekspozita e sotme ka lidhje direkt me natyrën".
Sipas tij, "në këtë ekspozitë ndihet një lloj gërshtimi stilistik direkt i natyrës me pjesën dekorative të kërkimit në studio, një kërkim i ri me të dy eksperiencat. Sot e ndjej veten të rikthyer tek natyra për të mbetur gjithmonë këtu".
I mahnitur nga peizazhet e qytetit dhe fshatrave të Korçës, Përvathi thotë se, "qyteti me rrethinat e ka vjeshtën më të bukur që mund të realizohet në natyrë në Shqipëri, ku gjithë pasurinë koloristike e gjen në Drenovë".
Përveç pikturave të vjeshtës, nuk mungojnë as ato për borën dhe dimirin.
"Në qytetin tim, në Lezhë, nuk bie borë, ose bie rrallë, ndaj në fillimet e mija artistike kisha realizuar vetëm një peizazh me borë", kujton Përvathi, duke shtuar se, "gjatë vitit 2009, realizova 11 piktura me dëborë, sepse është dashuria për atë që na mungon".
Përvathi në këtë ekspozitë prezantohet dhe me gjininë e portertit, ku spikat ai i At Zef Pllumit.
"Këtë portret e kam realizuar 3 vite më parë, por është një lloj amaneti që e kisha tek vetja ime për të realizuar portretin e tij pas një njohje disavjeçare vitet e fundit", thotë ai.
Sipas tij, "ndjeja një lloj detyrimi karshi kësaj figure të madhe kombëtare. Kjo është një gjë shumë e vogël që unë kam bërë si krijues, pasi figura si At Zef Pëllumbi janë të rralla, që nuk vijnë shpesh në Historinë e popullit tonë".
Në ekspozitë janë dhe 6 imazhe të tjera që piktori Pashk Përvathi ua kushton figurave të ciganëve të Lezhës, ndërsa tri tablo i përkasin imazhit femëror me veshje tradicionale shqiptare.
"Ciganët i kam trajtuar shpesh sepse ata në vetvete kanë një lloj pasurie koloristike, që nuk e ka pjesa tjetër. Ata vishen bukur, vishen me raporte pikturike dhe gjithçka tek ata, veshja, lëkura, është në një sintoni të përkryer", thotë piktori.
Ndër projektet më të afërta të tij, është zhvendosja në 15 tetor në Galerinë e Ministrisë së Kulturës së Prishtinës të ekspozitës "Rikthim".
Kjo ekspozitë është e treta ekspozitë që çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve, në grupin e 30 ekspozitave vetiake që piktori Pashk Përvathi ka çelur brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ajo do të qëndrojë hapur nga data 9-30 qershor 2010.
Pashk Përvathi lindi në fshatin Manati të rrethit Lezhë më 27 shkurt 1958. Në vitet 1972-'76 kreu shkollën e mesme të kulturës për mësues vizatimi dhe studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë për Pikturë Monumentale i kreu në vitet 1986-'90. Nga viti 1990-'92 punoi si përgjegjës i Galerisë së Arteve të Lezhës e më tej, si përgjegjës i Kulturës në rrethin e Lezhës. Në vazhdim ka punuar në profesion të lirë si piktor./n.m/