English

Policia: Interpol-I Shtrin Kërkimet Për 6-Vjeçaren E Humbur Edhe Ne Itali

TIRANË, 9 Qershor /ATSH, Mira Shkurta/ - Kërkimet për 6 vjeçaren e humbur pasditen e 22 majit në Zapod të Kukësit nuk janë ndërprerë, ndërsa hetimet janë shtrirë në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Greqi dhe me anë të INTERPOL-it, edhe në Itali. Drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Sadri Ramçaj u shpreh sot nga Kosova në linjë telefonike për ATSH- në se, "forca të shumta të Sigurisë Kombëtare të Kosovës, Drejtorisë Rajonale të Prizrenit, efektivë të kufirit tokësor , shërbime të Emergjencave Civile në Prefekturën e Kukësit janë angazhuar në kërkimet për gjetjen e 6-vjeçares së humbur" . Drejtori i Policisë së Kukësit tha se po punohet me të gjitha mënyra e hetimit dhe burimet, ndërsa nuk do të neglizhohet asnjë informacion lidhur me zhdukjen e 6-vjeçares Bleona Mata. Lidhur me këtë ngjarje, Ramçaj tha se krahas angazhimit të strukturave të Policisë së Shtetit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur edhe hetimet përkatëse. Një operacion i përbashkët kërkimi mes policisë shqiptare dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës u zhvillua të hënën në Dragash të Kosovës, ku mbi 100 efektivë të policisë së dy vendeve, bënë krehjen e të gjithë majës së Dragashit. Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim ndërkombëtar të miturën Bleona Mata, e humbur pasditen e datës 22 maj vetëm 500 metra nga banesa e saj në bjeshkët e Zapodit, teksa kulloste bagëtitë, ndërsa banorët gjetën xhupin e saj në lëndinën sipër fshatit. Policia ka vënë 3 milionë lekë shpërblimin për çdo informacion mbi zhdukjen e mistershme të 6- vjeçares Bleona Mata. Per këtë ngjarje të rëndë, që ka tronditur jo vetëm banorët e zonës, por gjithë opinionin në Zapod ishte dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili siguroi angazhim maksimal për zbardhjen e ngjarjes./n.m/
KOMENTE