Rama:Kryeministri Të Mos E Fshehë Krizën
TIRANË, 9 Qershor/ATSH/.- Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, i kërkoi sot Kryeministrit Berisha t'u tregojë shqiptarëve të vërtetën e krizës, duke nisur nga transparenca e zgjedhjeve.
Duke folur gjatë një konference për shtyp nga selia e PS-së, Rama tha se "kjo krizë është kriza e keqqeverisjes që i ka rrënjët tek kutitë e mbyllura të zgjedhjeve. Qeveria gënjen me shifrat e ekonomisë dhe harron se gjendja e saj është pjesë e jetës së çdo familjeje shqiptare, e cila e jeton përditë krizën ekonomike".
Sipas tij, "Kryeministri Berisha premtoi 160 mijë vende të reja pune dhe deri tani ka mbyllur 100 mijë, premtoi investime publike e private dhe tani po shkatërron sipërmarrjen me gjoba për të mbushur arkën e boshatisur të shtetit".
Rama theksoi se është koha për të mos bërë veshin shurdh ndaj kërkesës së komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës.
"Ne nuk gëzohemi me dështimet e përditshme të kësaj qeverie, sepse faturën e tyre e paguajnë shqiptarët. Ndaj kemi pranuar kompromisin që i hap rrugë transparencës së zgjedhjeve", tha Rama në deklaratën e sotme për shtyp.
Ndërkohë paraditen e sotme, Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së radhës së qeverisë, deklaroi se më 1 korrik rreth 820 mijë punonjës të administratës dhe pensionistë do të përfitojnë rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve. /a.s/s.s./