Tiranë, 9 qershor, NOA - IFC (Korporata Financiare Ndërkombëtare) pjesë e Grupit të Bankës Botërore, bazuar në politikat energjetike kombëtare si dhe në direktivat e BE-së për energjinë, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), organizon seminarin për Eficencën e Energjisë në Banesa.
Seminari do të fokusohet në sektorin e banesave mbështetur mbi Ligjin për ruajtjen e nxehtësisë si dhe Kodin Energjetik.
Sipas njoftimit të IFC, seminari ka për qëllim të nxisë efiçiencën e energjisë në sektorin e banesave si masë me leverdi financiare dhe të reduktojë gjithashtu ngarkesën në sistemin elektrik. Një tjetër pikë është dhe prezantimi i planeve të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore për nxitjen dhe zbatimin e kuadrit ligjor mbi konsumin e energjisë në sektorin e banesave.
Nga ana tjetër seminari synon të sensibilizojë institucionet e ndryshme shqiptare dhe firmat e ndërtimit për të pasur në të ardhmen ndërtesa brenda kushteve të lejuara teknike.
Nga ana tjetër takimi që do të zhvillohet nesër synon të nxisë dhe zbatimin e Ligjit nr. 8937, datë 12 shtator 2002 dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.38, datë 16 janar 2003.
“Zbatimi i Ligjit “Për ruajtjen e nxehtësisë në ndërtesa” dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave mbi “Normat, rregullat dhe kushtet e projektimit dhe të ndërtimit, të prodhimit dhe ruajtjes së energjisë në ndërtesa” do të bëjë të mundur zvogëlimin e konsumit të energjisë dhe për pasojë do të sjellë një ndikim të ndjeshëm në përmirësimin e kushteve të jetesës së popullsisë, gjithashtu edhe një reduktim të pagesës së energjisë për familjarët”, thuhet në njoftimin e IFC-së në lidhje me këtë aktivitet.
m.xh/NOA