Sport-Botëror/ Sulmuesit, Yjet E Çdo Skuadre Futbolli
TIRANË, 9 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Sulmuesit zakonisht janë ata, prej të cilëve pritet gjithnjë maksimumi. Janë ata që bëjnë diferencën mes humbjes dhe fitores së skuadrës. Janë yjet e çdo skuadre futbolli.
Katër sulmuesit e parë të botërorit, sipas kostos, janë lojtarë të maturuar. Mesi, Kristiano Ronaldo, Runi dhe Torres. Mund të diskutojmë deri në pafundësi se kush është më i miri.
Ushtria e "ronaldianëve" mund të argumentojë se portugezi është më i fortë se sa "Pleshti" argjentinas, i cili nuk ka qenë asnjëherë vendimtar në një botëror; por fansat e Runit e konsiderojnë atë si sulmuesin më të kompletuar në botë dhe është një gjysmë-blasfemie ta shikosh pas Ronaldos e Mesit.
Po Torres? Njeriu që ka zgjidhur finalen e Europianit dy vite më parë, vjen nga një sezon i trazuar për shkak të dëmtimeve dhe ndoshta nuk do të luajë as në ndeshjen inauguruese.
Duke u mbështetur te një prej këtyre katër fenomeneve, do të ecni të sigurt. Nëse do të citonim Murinjon, kupa të tilla vendosen vërtet nga detaje. Prandaj, të paktën në këtë pjesë të parë të Botërorit, duke analizuar grupe të ndryshme, Mesi e Runi nisen pak përpara në krahasim me të tjerët.
Pasi përfundoi era e Ronaldos (Luis Nazarios), Brazili ka vetëm një sulmues të vërtetë race: Luis Fabiano. Prandaj vlera e tij është objektivisht pak më e lartë në krahasim me realen: 30 milionë euro janë një investim i madh, por meqë "O' Fabuloso" është pika kyçe e Brazilit, statusin e titullarit dhe kandidaturën e golashënuesit të Botërorit nuk ia heq askush.
As David Vija, që kushton thuajse sa ai. Një sulmues, i cili ka shkëlqyer në fundin e sezonit, është uruguaiani Forlan. Ekziston ideja e çmendur se mund të shkëlqejë, por për këtë duhet parë nëse do të arrijë në 16-she.
E njëjta gjë edhe për Eto'o (23 milionë euro vlen edhe ai). Më e vështirë është të vlerësosh situatën e Drogbasë: edhe afrikani kushton 23 milionë euro, por dëmtimi duket i rëndë. Qarkullon një ide se mund ta marrë veten për ndeshjen e tretë, ndaj Koresë së Veriut.
Pastaj është çështja "Milito". Tek Argjentina është sulmuesi i dytë më i kushtueshëm, pas Mesit. Problemi qëndron se për Maradonën, "El Principe" është i pesti, nëse jo i gjashti i zgjedhur për sulmin. Pas Higuainit Tevez, Aguero e Martin Palermo. Heroit të Champions-it të Interit i mjaftojnë 10 minuta për të lënë shenjë, dhe se vlerat e tij janë të padiskutueshme.
Në listën e sulmuesve shfaqen edhe Riberi e Roben edhe pse në realitet janë më shumë fantazistë. Në përgjithësi, sulmi i Holandës premton gjëra të mëdha: Van Persie, Kajt e Huntelar janë një miks i këndshëm dhe me shije. Me Shnajderin pas tyre vjen era goleadë.
Po Italia? Xhilardino, Di Natale, Pacini dhe Iakuinta. Këta janë ende një pikëpyetje e madhe. Te Gjermania duhet t'i besojnë sërish Kloses, Gomez dhe Podolskit. Sulmuesit e tjerë varen nga kombëtaret e tyre, jo në nivelin e duhur. /a.ke/