English

Sport-Dossier/ Botërori 2002, Brazili Kampion Për Herë Të Pestë Në Turneun Aziatik

- Në 2002-shin Ronaldo i dha Brazilit Kupën e pestë të Botës. Kështu, asi brazilian largoi fantazmat e katër viteve më parë - në Francë 1998 ai qe hija e vetvetes. Në këtë edicion dy ekipet pritëse (Koreja e Jugut dhe Japonia) befasuan të gjithë duke arritur që të kalonin fazën e grupeve - TIRANË, 9 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Botërori i 2002-shit ishte i veçantë jo vetëm se për herë të parë ky kompeticion mbahej në dy vende (Kore e Jugut dhe Japoni), por edhe se në çerekfinale nga gjashtë ekipe, pesë prej tyre përfaqësonin pesë kontinente të ndryshme. Ky fakt është unikal, duke qenë se asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur diçka e tillë. Gjithsesi, ky botëror pa edhe dështimin e shumë ekipeve të mëdha, gjithashtu atë vit të gjithë panë mrekullinë e Koresë së Jugut. Përpos paraqitjeve jo shumë të mira të ekipeve me peshë finalja përsëri ishte e tyre. Në finale të këtij kompeticioni luajtën Gjermania dhe Brazili. - Heroi Katër vjet pas atij shkatërrimi që pësoi në Francë, ekipi brazilian, falë heroit të tij, Ronaldos, arriti që të ngrinte lart Kupën e Botës. 'Seleção" e Felipe Scolarit mundi në Yokohama me rezultatin e pastër 2-0 përfaqësuesen e Gjermanisë. Autori i këtyre dy golave ishte pikërisht Ronaldo, që në atë kompeticion përpara se të shkonte në finale, kishte shënuar edhe 6 të tjerë. - Surpriza Senegal Askush nuk priste që një skuadër afrikane të bënte çudinë në fazën e grupeve, por ja që Senegali ia doli. Në takimin e parë të atij botërori, që u zhvillua në Seul, ekipi i Senegalit me golin e Pape Bouba Diop, shokoi Francën. Mbajtësit e trofeut pas asaj humbjeje që pësuan ndaj afrikanëve, nuk e morën më veten dhe e mbyllën grupin në vend të fundit, për më tepër pa asnjë gol të shënuar. Ndërkohë që ekipi i Senegalit arriti të kalonte grupin A. "Luanët e Terangas" mundën në raundin e dytë ekipin e Suedisë me një gol të shënuar në kohën shtesë. Në të njëjtën mënyrë (pra në kohën shtesë) ata u mundën nga Turqia në çerekfinale. Ndërkohë, nga ana tjetër edhe SHBA-të ishin autorë të një tjetër mrekullie. Ekipi amerikan mundi në takimin e parë në grupin D ekipin e Portugalisë 3-2. Këta të fundit pasi mundën Poloninë, u rrëzuan përsëri përballë të zotëve të shtëpisë, Koresë së Jugut, duke u bërë kështu ekipi i dytë i madh që la Kupën e Botës që në fazën e parë. Me koreanojugorët vazhdoi për më tej ekipi i SHBA-ve. Një eliminim befasues ishte edhe ai i Argjentinës. Skuadra e Marcelo Bielsas fitoi takimin e parë të vlefshëm për grupin F, por më pas në ndeshjen e dytë pësuan një humbje minimale përballë rivalëve të vjetër, Anglisë. Në Saporo kapiteni i Anglisë, David Beckham (katër vite më parë kishte marrë një karton të kuq përballë Argjentinës), mori hak pasi ktheu njëmbëdhjetëmetërshin në gol. Në ndeshjen e fundit ekipi amerikanolatin nuk shkoi dot më tej se një barazim 1-1 ndaj Suedisë. - Avancimi i pritësve Në këtë botëror përfaqësueset e shteteve organizatore ditën shumë mirë se si të shfrytëzonin faktorin fushë. Ekipi i Koresë së Jugut bëri shumë mirë, duke arritur deri në gjysmëfinale: aty u mund nga Gjermania 1-0. Ekipi i drejtuar nga Guus Hiddink në 16-she mundi Italinë me "golden gol" të shënuar nga Ahn Jung Hwan. Më pas ata përsëritën vetveten dhe mundën edhe përfaqësuesen e Spanjës në çerekfinale 2-0. Ndërkohë, nga ana tjetër edhe Japonia e Philippe Troussier bëri një paraqitje shumë të mirë. Fazën e grupeve ata e mbyllën në vendin e parë. Në grupin H përfaqësuesja e Japonisë la pas Belgjikën, Rusinë dhe Tunizinë. Me ekipin belg ata barazuan ndeshjen e parë 2-2, ndërsa ndaj dy të tjerave, pra ndaj Rusisë dhe Tunizisë, ata morën pikët e plota. Aventura e kombëtares së Japonisë mbaroi në 16-she. Ekipi japonez u mund nga përfaqësuesja e Turqisë. Këta të fundit ishin një tjetër surprizë e këndshme e këtij botërori, pasi fazën në grupe e mbyllën të dytët (vetëm diferenca e golave i ndihmoi ata dhe dërgoi Kosta Rikën në shtëpi) pas Brazilit. Më pas, në raundin e dytë, ata mundën Japoninë dhe në çerekfinale shënuan një gol me Ilhan Mansiz në kohët shtesë, duke eliminuar kështu Senegalin. E gjithë kjo arritje merr më shumë vlera, po të përmendim edhe botërorin e fundit, kur kishte marrë pjesë kombëtarja turke, ishte ai i Zvicrës 1954. Aventura e tyre mbaroi në gjysmëfinale. Ekipi turk humbi minimalisht ndaj Brazilit. - Gjermanët në finale Shumë pak njerëz mendonin se Gjermania do të shkonte në finale. Skuadra teutonike pas humbjes të thellë që kishte pësuar ndaj Anglisë në fazën e paraeliminatoreve, bëri që askush të mos besonte në forcën e tyre. Megjithatë, në fazën finale ky ekip, falë portierit Kahn dhe mesfushorit Ballack, bëri të heshtnin të gjithë kritikuesit. Fazën në grupe ata e mbyllën në vendin e parë, duke lënë pas Republikën e Irlandës, Kamerunin dhe Arabinë Saudite (u mposht nga Gjermania 8-0). Më pas, ekipi gjerman arriti tri fitore radhazi me po të njëjtin rezultat, 1-0. Në 16-she ata mundën Paraguain, më pas radhën e patën SHBA-të dhe në gjysmëfinale ata mundën të zotët e shtëpisë, Korenë e Jugut. Më pas, si për ironi të fatit, në një finale pa Ballack, Gjermania u mund pikërisht nga dy gabime të Kahn. Portieri gjerman, Oliver Kahn, që fitoi edhe "Topin e Artë" të atij botërori, pati përgjegjësi për golin e parë të pësuar. Në atë finale Gjermania luante pa yllin e saj, Michal Ballack. Ish-futbollisti i Bayernit me kartonin e verdhë që mori në gjysmëfinale ndaj Koresë së Jugut, shleu kështu dënimin pikërisht në finalen e madhe. Kështu Brazili shkoi drejt trofeut të pestë në Kupën e Botës. - A e dini se? - Në finalen e vogël (takimin e vlefshëm për vendin e tretë dhe të katërt) sulmuesi i Turqisë, Hakan Sukur, shënoi golin më të shpejtë të regjistruar në Kupat e Botës. Shtatlarti përballë ekipit të Koresë së Jugut realizoi vetëm pas 11 sekondash lojë. - Kur nisi fazën e paraeliminatoreve, ekipi i Senegalit ishte i vendi i 79-të në renditjen botërore të klubeve. Më pas, ekipi nga Afrika arriti deri në tetëshe gjatë fazës finale të Botërorit Kore e Jugut / Japoni. -Një ditë pasi luajti në ndeshjen SHBA-Gjermani (0-1), Landon Donovan ndihmoi klubin e tij në Ligën e Parë Amerikane. San Jose Earthquakes arriti që të mundte Colorado Rapids. - Superylli i Brazilit, Ronaldo, la një trekëndësh me flokë në kokën e tij me qëllim që të dallohej nga "qerosi" tjetër, Roberto Carlos. Këtë manovër Ronaldo e shpjegoi duke thënë se i biri i tij i vogël një ditë nuk kishte dalluar të atin nga televizioni, për shkak se ashtu si ai, edhe Roberto Carlos qetheshin "zero". - Në grupin F, katër futbollistë të Anglisë në takimin ndaj Nigerisë kishin moshë më të madhe sesa dy lojtarë të marrë së bashku: Femi Opabunmi dhe Bartholomew Ogbeche - që të dy 17-vjeçarë. - Skuadrat pjesëmarrëse Kameruni Nigeria Senegali Afrika e Jugut Tunizia Republika e Kinës Japonia Republika e Koresë Arabia Saudite Belgjika Kroacia Danimarka Anglia Franca Gjermania Italia Polonia Portugalia Republika e Irlandës Rusia Sllovenia Spanja Suedia Turqia Kosta Rika Meksika SHBA Argjentina Brazili Ekuadori Paraguai Uruguai - Shifra dhe fakte Skuadra pjesëmarrëse: 32 Periudha e zhvillimit: 31 maj 2002 deri më 30 qershor 2002 Ndeshje: 64 Gola të shënuar: 161 (me një mesatare prej 2.5 golash për ndeshje) Shikueshmëria: 2705197 (me një mesatare prej 42268 tifozësh për ndeshje) Vendi I: Brazili Vendi II: Gjermania Vendi III:Turqia Vendi IV: Republika e Koresë ADIDAS Topi i Artë : Oliver Kahn (GJER) ADIDAS Këpuca e Artë: Ronaldo (BRA) Çmimi Lev Yashin, portieri më i mirë i kompeticionit: Oliver Kahn (GJER) Lojtari më i mirë i ri i turneut: Landon Donovan (SHBA) Çmimi Fair Play: Belgjika Skuadra më zbavitëse: Republika e Koresë /s.s./
KOMENTE