Tafaj:Sivjet Do Te Trefishohet Numri I Studentëve Në Degët E Teknologjisë Së Informacionit
TIRANË, 9 Qershor /ATSH/ - Kuotat e pranimit të studentëve në degët universitare që lidhen me teknologjinë e informacionit, do të trefishohen këtë vit akademik, tha sot ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj.
Tafaj ishte sot në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku u përurua sot laboratori i Teknologjisë së Informacionit i mbështetur financiarisht nga kompania "Eagle Mobile", me vlerë 20 mijë euro dhe me 30 vende, që do t'i mundësojë studentëve ndjekjen e leksioneve nëpërmjet vidoe-projeksionit.
Duke vlerësuar investimin nga një kompani private, ministri Tafaj u shpreh se, "fusha e teknologjisë së informacionit përbën një prioritet, pasi Shqipëria ka nevojë për njerëz të kualifikuar në këtë fushë". Ai ftoi kompanitë private që "të bashkëpunojnë për zhvillimin e praktikave profesionale për studentët".
Tafaj bëri të ditur se "vitin e ardhshëm mësimor të gjitha fakultetet që kanë programe studimi në këtë fushë do të marrin një fond të veçantë për ngritjen e laboratorëve të teknologjisë së informacionit".
Edhe Senati i Universitetit të Tiranës miratoi së fundmi propozimin e Këshillit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës për dyfishimin e numrit të studentëve në shkencat teknologjike, bëri të ditur rektori Dhori Kule.
Drejtori i Përgjithshëm i "Eagle Mobile", Ali Taskin premtoi se "kompania është e gatshme që të mbështesë me praktika profesionale studentët e diplomuar në shkenca tekonologjike, pse jo, edhe në punësimin e tyre".
Ky projekt vjen pak kohë pas atij të Universitetit Poltikenik, ku kompania "Eagle Mobile" projektoi një sallë leksionesh, duke u përpjekur kështu, që të jetë shëmbull specifik në mbështeteje të arsimit shqiptar./e.gj//n.m/