English

Tekstet shkollore, MASH: Shkollat të hartojnë listën për shtëpitë botuese

Tiranë, 9 Qershor, NOA /Blerina Ahmetaj - Brenda datës 20 qershor, të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në mbarë vendin, do të nisin përzgjedhjen e teksteve alternative për vitin e ri shkollor 2010-2011.

Këshilltari pranë ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi, thotë se deri në këtë afat kohor, drejtoritë e shkollave duhet të kenë ngritur komisionet e vlerësimit për përzgjedhjen e teksteve alternative.

Sipas Kristiqit, secila shkollë, sipas udhëzimit tashmë të njohur prej disa vitesh të MASH, hartojnë një listë tekstesh të shtypura në një prej shtëpive botuese që komisioni përzgjedh, udhëzim ky që liberalizon tregun e librit shkollor në Shqipëri.

“Udhëzimi më i ri i ministrisë, u jep një afat kohor shkollave të përcaktojnë numrin e teksteve shkollore që ata kërkojnë të hartohen e shtypen më pas nga shtëpitë botuese përkatëse”, thotë Kristiqi.

Një tjetër udhëzim është hartuar nga MASH për shtëpitë botuese.

Këshilltari i ministrit Tafaj shton se sipas udhëzimit, brenda datës 25 gusht, shtëpitë botuese duhet të kenë përfunduar shtypjen e teksteve shkollore me qëllim që shpërndarja e tyre të jetë gati për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ministria e Arsimit ka vendosur që nga ky vit, shtëpitë botuese të shpërndajnë librat në shkollat me të cilët kanë firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit dhe jo në librari, për të shmangur radhët e gjata të nxënësve e prindërve para dyerve të librarive.

b.a/n.e/NOA

KOMENTE