English

Thaci- Zbogar: Kosova Dhe Sllovenia Do Zgjedhoje Bashkepunimin E Shkelqyer

PRISHTINË, 9 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Samuel Zbogar, në një takim sot në Prishtinë kanë vleresuar të shkelqyer bashkëpunimin mes dy vendeve dhe janë pajtuar për zgjerimin e tij. Zyra e shtypit e qeverisë kosovare bën të ditur se në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë. Duke i vlerësuar lartë marrëdhëniet mes të dyja vendeve, kryeministri Thaçi ka falënderuar ministrin e jashtëm slloven për mbështetjen e Sllovenisë dhënë Kosovës në të gjitha fushat. Ai në veçanti ka veçuar bashkëpunimin e deritanishëm me investitorët dhe afaristët sllovenë dhe ka theksuar vazhdimin e përkrahjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës për investitorët sllovenë në Kosovë. Duke ftuar edhe investitorët e tjerë sllovenë të vijnë në Kosovë, kryeministri Thaçi ka thënë se "bashkëpunimi i shkelqyer ekonomik do ta forcojë bashkëpunimin e shkelqyer politik në mes të dy vendeve". Në vazhdim të takimit, kryeministri Thaçi është ndalur edhe tek procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke theksuar se veprimet e institucioneve të Kosovës pas këtij procesi këshilldhënës do të jenë të koordinuara mirë me miqtë ndërkombëtarë. "Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kufijtë tanë janë të pacenueshëm. Perspektiva Evropiane për Kosovën është e sigurtë, ne jemi të angazhuar fuqishëm në procesin e përmbushjes së të gjitha kritereve për anëtarësim në BE dhe në NATO", theksoi kryeministri Thaçi. Më tej, kryeministri Thaçi riafirmoi faktin se Republika e Kosovës ka ndërtuar marrëdhënie shumë të mira dhe marrëdhënie diplomatike me fqinjët, me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Ndërsa, në një të ardhme të afërt presim të ndërtojmë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë, si dy shtete të pavarura, tha ai. "Bashkëpunimi rajonal është në interes të paqes, të stabilitetit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të të gjithë rajonit", u shpreh kryeministri Thaçi. Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Samuel Zbogar, ka falënderuar kryeministrin Hashim Thaçi dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë e Republikës së Sllovenisë. "Këto marrëdhënie të shkelqyera dypalëshe vetëm sa do të thellohen, në interes të të dyja vendeve", tha Zbogar. /a.ke/
KOMENTE