Tiranë, 9 Qershor, NOA – Para pesë vitesh do t’i gjendeshin 15 rrënjë bimë narkotike e kultivuar si dhe 100 gram kanabis sativa e paketuar në një qese plastike, e për këtë do të dënohej me 4 vjet burg nga gjykata e Fierit.
Por poseduesi i kësaj lënde narkotike ndodhej në Itali, e për këtë arsye ai nuk është mundur të kapej menjëherë nga forcat e policisë, po duhej të kalonin disa vjet që një gjë e tillë të realizohej.
Fjala është për 45-vjeçarin Stefan Petani, lindur në Fier, është mundur të vihet në pranga vitin e kaluar, konkretisht në datën 17 dhjetor, në shtetin fqinj ku edhe jetonte.
Ndërsa sot është realizuar ekstradimi i tij në tokën shqiptare nga Milano, falë bashkëpunimit të dy zyrave respektive të Interpolit.
Mësohet se ndaj tij rëndon vendimi nr.1047, i datës 27.04.2006, i gjykatës së Fierit, i cili e ka dënuar për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve“, dhe “Kultivimit të bimëve narkotike“, parashikuar nga nenet 283/1 dhe 284/1 të Kodit Penal të Shqipërisë.
Burimet policore të Tiranës raportojnë për agjencinë e Lajmeve NOA se ai u është dorëzuar sot përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve nga autoritetet italiane në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit.
n.e/NOA