Tiranë, 9 Qershor, NOA – Vidhnin makina në kryeqytet, ndërsa më pas i shisnin në qytete të tjera të vendit, kryesisht në Lezhë.
Bëhet fjalë për dy persona, të cilët janë vënë në pranga nga forcat e policisë së Tiranës, në kuadrin e operacionit të koduar “Laçi”, përkatësisht Julian Ylli Morava, 30 vjeç, banuese në Yrshek të Tiranës dhe Petrit Shtjefni, 38 vjeç, banues në Lezhë.
Arrestimi i tyre u krye sepse dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dy ditë më parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kanë vjedhur automjetin tip “Benz”, me targa TR 8535 M, në pronësi të një personi.
Ndërkaq, nga veprimet hetimore, rezultoi se këta dy persona në bashkëpunim edhe me dy të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim dhe ende të identifikuar, kanë kryer dje vjedhjen e një tjetër automjeti tip “Benz”, në Laprakë.
Aktualisht, nga strukturat e hetimit të krimit është bërë i mundur dokumentimi i një sërë vjedhjesh të tjera të kryera nga ky grup, me tendencë kryesisht vjedhjet e automjeteve në Tiranë, me qëllim shitjen e tyre në qytete të tjera të Shqipërisë, kryesisht në Lezhë.
Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti i vjedhur tek QSUT “Nënë Tereza”, si dhe një sërë targash të automjeteve të ndryshme mjetesh në një varrezë në fshatin Balldren të Lezhës, në pronësi të Petrit Shtjefnit.
Materialet hetimore në ngarkim të tyre i kaluan prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme ndaj tyre, për konsumim të veprave penale të “Vjedhjes” e realizuar në bashkëpunim.
n.e/NOA