English

Vocaj: Devijimi I Trafikut Në Sheshin "Skënderbej" Rëndon Qarkullimin E Mjeteve

- Leter e drejtorit të Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, drejtuar kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama - TIRANË, 9 Qershor /ATSH- Mira Shkurta/. - Policia e kryeqytetit ofron çdo mundësi zgjidhjeje dhe bashkëpunimi për të zhbllokuar situatën e krijuar në trafik qe nga dita e fillimit të punimeve në Sheshin "Skënderbej". Drejtori i Policisë së Qarkut të Tiranës, Tonin Vocaj, i është drejtuar sërish me një letër kryetarit të Bashkisë , Edi Rama, përmes së cilës shpreh shqetësimin se "bllokimi i sheshit "Skënderbej" ka rënduar situatën në qarkullimin e mjeteve në qytetin e Tiranës, ku si pasojë e devijimeve të trafikut, shumë kryqëzime dhe rrugë kanë marrë një ngarkesë tej normave dhe të pa përballueshme nga shërbimet e policisë". "Duke përsëritur shqetësimin lidhur me situatën aktuale të trafikut në qytetin e Tiranës, ofrojmë të gjithë ekspertizën profesionale dhe bashkëpunimin tonë në kërkim të një zgjidhjeje të problemeve të shkaktuara nga zbatimi i skemës së trafikut, të kërkuar nga autoritetet e Bashkisë së Tiranës", thuhet në letren zyrtare të Policisë së Tiranës". Sipas kreut të efektivave blu të kryeqytetit, megjithë masat e marra nga sherbimet e policisë, lëvizja e mjeteve dhe këmbësorëve është në kaos në të gjitha segmentet rrugore që kanë lidhje me sheshin "Skenderbej". Devijimi i ri i qarkullimit të makinave që vijnë nga rruga e Durrësit, si pasojë e punimeve në sheshin "Skënderbej", si edhe fluksi i madh i automjeteve, ka shkaktuar një trafik të dendur në këtë zonë. Më problematik trafiku i rënduar është në orët e para të mengjesit, përpara Muzeut Kombëtar dhe në kryqezimin te rruga e Durrësit, ku trafiku është i rënduar thuajse për gjatë ditës. Drejtuesit e automjeteve që përshkojnë bulevardin "Zogu I", tashmë nuk mund të hyjnë më në sheshin "Skënderbej", por duhet të kthehen në rrugën "Ded Gjo Luli", pas Muzeut Kombëtar. Nëse këta drejtues të mjeteve duan të lidhen me rrugën e Dibrës, tani u duhet të kthehen tek rruga pas Bankës së Shqipërisë, pranë selisë së PS-së. Sipas planit të Bashkisë, makinat nuk do të futen për në qendër nga rrugët kryesore si, rruga e Durrësit, ajo e Kavajës, apo edhe rruga që vjen nga Stacioni i Trenit, por vetëm nga rruga e Gjykatës së Lartë. Për pasojë, gjithçka ka bllokuar edhe akset e tjera rrugore nëpër Tiranë, që lidhen ose jo drejtpërdrejt me sheshin "Skënderbej". /a.ke/
KOMENTE