English

Arrestohen dhunshëm 5 aktivistë të Vetëvendosjes në Prizren

Prizren, 10 qershor 2010 NOA - Pas përfundimit të demonstratës në Prizren, shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës filluan t’i përcillnin aktivistët e VETËVENDOSJE!-s dhe demonstruesit që po shpërndaheshin pas demonstratës. Këto policë arrestuan 5 aktivistë të VETËVENDOSJE!-s: Arianit Sadikun, Muhamed Shemsiun, Durim Jasharajn, Hekuran Sejfullahun dhe Durim Xhemajlin.

Lëvizja tha se udhëheqësia politike e Kosovës jo vetëm po na sjell vendime antishqiptare, por po i mbron ato edhe me kërcënime policore dhe arrestime. Në këtë mënyrë, ky regjim politik jo vetëm po na shkombëtarizon, por edhe po i terrorizon e frikëson qytetarët me arrestime, ashtu që të ta japin porosinë se të jesh shqiptar dhe ta mbrosh identitetin tënd tashmë është edhe e ndëshkueshme.

Njëjtë është pasë munduar edhe Rankoviqi e Milosheviqi, gjatë kohës të së cilëve të ishe shqiptar dhe ta afirmoje identitetin e kërcënuar shqiptar, do të thoshte të përballeshe me shtypjen, arrestimin dhe burgun. Por, të gjithë ata që janë munduar ta zhbëjnë identitetin shqiptar deri sot, kanë dështuar, dhe aspak ndryshe nuk do ta kenë fatin as robotët e sotshëm antishqiptarë.

Tash policia e Kosovës ka filluar të veprojë edhe tinëzisht. Kanë filluar ta presin përfundimin e demonstratave, t’i presin demonstruesit deri sa të shpërndahen, e pastaj i përcjellin ata për t’i arrestuar.

Policia ka filluar të frikësohet nga populli, në vend që të del në anën e popullit. Thërrasim Policinë e Kosovës të mos veprojnë tinëzisht, por t’i bashkohet popullit të bashkuar, deklaroi Lëvizja VETËVENDOSJE!

Më poshtë vijon një opinion nga Lëvizja VETËVENDOSJE!

Atë që nuk e bëri sulltani, e bëri vetë Enver Hasani

Sot në Prizren u mbajt demonstrata e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me moton “Për identitet dhe dinjitet kombëtar”. Kjo demonstratë u mbajt për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndryshimin e emblemës komunale të Prizrenit, në të cilën paraqitet shtëpia e Lidhjes së Prizrenit. Demonstrata filloi në sheshin kryesor të qytetit dhe në të morën pjesë rreth 5,000 vetë. Faruk Dakaj nga qendra e VETËVENDOSJE!-s në Prizren ishte i pari që iu drejtua demonstruesve të mbledhur te shadërvani i qytetit. Ai tha se Plani i Ahtisaarit, në emër të të cilit është marrë vendimi për ndryshimin e emblemës komunale, është veprim shkombëtarizues. Ky vendim po vjen pas një varg veprimesh tjera të cilat filluan me heqjen e flamurit kobëtar, himnin pa tekst, serbizimin e objekteve fetare, kurse tash po synohet që ky shkombëtarizim të shkojë thellë edhe deri te vetë institucionet lokale. Më pas masa demonstruese iu drejtua kuvendit komunal të Prizrenit. Përpara objektit komunal foli Glauk Konjufca. Glauku tha se nëse sot po na rrezikohet Lidhja e Prizrenit, kjo vjen për shkak se nuk kemi udhëheqës politikë sikur ata të Lidhjes së Prizrenit. Krerët e Lidhjes luftonin me armikun për t’i mbrojtur tokat shqiptare. Krerët e sotshëm luftojnë me njëri-tjetrin për shitjen e tokave shqiptare. Krerët e Lidhjes varfëroheshin për të pasur populli. Krerët e sotëm pasurohen prej parasë së të varfërve – prej buxhetit të popullit. Me këtë rast, aktivistët e VETËVENDOSJE!-s vendosën në hyrjen e objektit të kuvendit komunal emblemën aktuale të këtij institucioni dhe e cila nuk duhet të ndërrohet. Dhe erdhi çasti kryesor i demonstratës: ndalja përpara shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit. Aty demonstruesve iu foli veprimtari i njohur i çështjes kombëtare dhe njëri prej themeluesve të UÇK-së, Gani Krasniqi. Ai tha se Lidhja e Prizrenit paraqet ngjarjen më të rëndësishme kombëtare shqiptare pas Kuvendit të Lezhës. Qëllimet e Lidhjes së Prizrenit ishin edhe brenda vetë luftës së fundit çlirimtare, e cila, në fund u keqpërdor nga njerëz të caktuar për të bërë karriera politike në dëm të Kosovës tha Gani Krasniqi. Dhe në fund shtoi se Lidhja e Prizrenit ka qenë, është dhe gjithnjë do të jetë gjallë. Për konceptin politik të Lidhjes së Prizrenit dhe rëndësinë e saj si ngjarje politike dhe program që jehon historikisht, foli profesori i filozofisë politike nga Tirana, Hysamedin Feraj. Ai tha se Plani i Ahtisaarit po e shfytyron kombin shqiptar. Sepse po ia shlyen atij vetitë e tij thelbësore. Në fund Feraj tha se atë që nuk e ka bëri sulltani, e bëri vetë Enver Hasani. 10 qershor 2010 Lëvizja VETËVENDOSJE!

KOMENTE