Tiranë, 10 Qershor 2010 NOA – Operacioni i koduar “Sporteli i Hapur”, arreston në Tiranë dy persona të dyshuar për falsifikim të formularëve dhe vendos hetim të lirë për një tjetër, i akuzuar për shpërdorim detyre, funksionar i lartë hipotekar.
Burime zyrtare nga policia e Tiranës i thanë sonte agjencisë NOA se “në kuadër të operacionit të koduar “Sporteli i Hapur”, i realizuar nga Seksioni Kundër Korrupsionit pranë Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë në bashkëpunim me Njësinë Hetimore Taks Forcë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një hetimi u arrestuan Shkëlqim Levanaj, 45 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Orion Kolezi, 29 vjeç, lindur në Cërrik dhe banues në Tiranë.
Këta persona, në bashkëpunim me njërin tjetrin dhe persona të tjerë, ku dyshohen punonjës të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme një shumë parash prej 50 mijë lekësh, në këmbim të lëshimit të një vërtetimi hipotekor, për një apartament të ndodhur në Tiranë.
Për shtetasit e sipërcituar u mor masa e arrestit për konsumim të veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, parashikuar nga nenet 245/2 dhe 190 të Kodit Penal.
Po ashtu, në kuadër të këtij procedimi janë referuar materialet hetimore bazuar në prova të administruara, ku do të fillojë ndjekja penale ne gjendje të lirë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës “, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal per Altin Spaho, 38 vjeç, lindur në Poliçan – Skrapar dhe banues në Tiranë, me profesion inxhinier dhe detyre Zëvendësregjistrues ne Zyrën Vendore te Regjistrimit te Pasurive te Paluajtshme ne Tirane.
Policia tha se në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 50 mijë lekë, një automjet i tipit “Benz” me targa të huaja, tre celularë si dhe një numër i konsiderueshëm formularësh të plotësuar dhe të paplotësuar certifikatash dhe vërtetimesh të hipotekës.
Aktualisht nga këto struktura vazhdon kryerja e veprimeve hetimore për identifikimin dhe dokumentimin e veprimeve abuzive dhe korruptive të personave të implikuar, siguroi policia e Tiranës.
r.n/NOA